Elisa Spiropali, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherazi zëdhënëse e Qeverisë, u shpreh se “protesta energjike e studentëve, ishte një protestë që kishte për qëllim ngritjen e nivelin arsimor në Shqipëri dhe qeveria reagoi në përgjigje të kërkesave të drejta që adresuan studentët”.

Në një bashkëbisedim me studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës mbi ecurinë e Paktit për Universitetin, mbrëmjen e së enjtes në ambientet e Kryeministrisë, Spiropali tha se, në këtë kontekst, ne vazhdojmë të intensifikojmë komunikimin dhe dialogun me studentë dhe pedagogë, për të nxjerrë një produkt të vërtetë të politikave tona në funksion dhe shërbim të rritjes së nivelit të arsimit në vendin tonë.

“Qeveria bëri “Paktin për Universitetin” dhe krijoi për herë të parë lehtësi në politikat ekonomike për studentët. Por edhe politikat për rritjen e cilësisë së arsimit, siç është krijimi i bibliotekës digjitale, që i jep mundësi, si asnjëherë më parë të gjithë spektrit arsimor, studentë dhe pedagogë të navigojnë në literatura, që u kanë munguar më parë”, – theksoi Spiropali.

Shumë gjëra janë bërë në këto 5 vite, vijoi ajo, ndërsa theksoi se ky angazhim do të vazhdojë me aktorët e sistemit të arsimit, si investimi i duhur për shoqërinë dhe vendin tonë.

Spiropali shpjegoi se në fokus të Paktit të qeverisë me Universitetin, është edhe krijimi i portalit të ri, që do të mundësojë bërjen transparete të të gjitha shpenzimeve buxhetore të Universitetit, duke krijuar kështu informim të plotë për të gjithë studentët dhe stafin akademik mbi shpenzimet e universitetit.

“Përpjekja e Qeverisë është të vendosë një standard për të gjitha universitetet, i pranuar nga të gjithë, por që do të vijë në përmirësim në të ardhmen”, tha ajo.

Duke u ndalur tek punësimi i studentëve, Spiropali tha se, ne shënuam një hap shumë të rëndësishëm, duke hapur dyert e administratës publike për studentët më të mirë.

“Përmes portalit punetembarë.al, punësuam studentë të ekselencës dhe kjo praktikë do të vijojë si modeli më i mirë që i shërben një administrate më të mirë, me më të mirët që e meritojnë. U hapën 800 vende pune dhe në muajin gusht hapim edhe 1000 vende të reja pune, që do të jenë në dispozicion të studentëve që përfundojnë me nota të mira”, – theksoi Spiropali.

Krahas kësaj vijoj ajo, në prioritet të punës tonë janë edhe investimet në rehabilitimin e kampuseve akomoduese ku strehohen studentët.

“11% e studentëve jetojnë në këto kampuse, edhe përmirësimi i infrastrukturës me standarde dhe kushte bashkëkohore është premtim yni, që do ta mbajmë brenda këtij mandati. Të gjitha kampuset ku strehohen studentët në të gjithë vendin do të rehabilitohen. 16 milionë euro po investohen për konviktet në Tiranë dhe investimet do vijojnë në rrethet e tjera”, – tha Spiropali.