Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka, i ftuar në A2 CNN, tha se “ne nuk kemi thirrur ndonjëherë protesta të dhunshme.

Kemi patur fishekzjarrë dhe elemente që mund të kujtojnë idenë e një proteste ndryshe, por kurrë thirrje për dhunë”.

Dhuna, për të, ishte ajo që dëshironte kryeministri Edi Rama në 30 qershor.

Madje, për Palokën, kreu i ekzekutivit kishte aktivizuar “banda të ndryshme në çdo qytet, si Hakmarrje për Drejtësi në Lushnje, për të shkaktuar dhunë dhe ndoshta viktima”.

Ky ka qenë shkaku, që PD, sipas Palokës, ka ndryshuar strategjinë saj për zgjedhjet.

“Vendimi u mor orët e fundit, brenda PD-së” por pohon se fillimisht, të paktën ai nuk ishte dakord me qasjen e lidershipit opozitar.

“Unë isha nga ata që donin të bllokoheshin fizikisht zgjedhjet. Sot kam një mendim ndryshe, por vetëm sepse qytetarët iu përgjigjen thirrjes për të mos votuar”, thotë Paloka.

Përndryshe, sipas tij “do të ishim përballë vendosjes reale të diktaturës në Shqipëri, me një kryeministër që nuk pyet për askënd, as për ligjet që ka bërë vetë”.

Sipas nënkryetarit të PD-së, Rama është tashmë ”i refuzuari i madh, 80% e shqiptarëve, edhe brenda socialistëve, nuk e do”, dhe opozita, në shifra, sipas tij, është mazhorance absolute, por ndërkohë mendon që Rama “nuk të len të votosh”.