Kristian Panuçi, trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, ka folur për “Sky Sport” në lidhje me rikthimin në drejtimin e një skuadre të Karlo Ançelotit, që do të zërë vendin e Mauricio Sarrit te Napoli: “Rikthimi i tij rrit cilësinë në Serinë A. Trajnerët tanë më të zotë janë të gjithë jashtë vendit. Napolit do t’i sjellë një imazh të jashtëzakonshëm. Një goditje e madhe për gjithë futbollin italian”, – ka theksuar trajneri Panuçi, i cili ka dhënë këtë intervistë:

Çfarë diferencash kanë Ançeloti dhe Sarri?

Sarri i ka dhënë një ide loje ekipit, që e kanë vlerësuar të gjithë. Ançeloti është një administrator shumë i mirë, ka drejtuar kampionë të mëdhenj dhe pikën e tij të forcës e ka te prakticiteti. Do të bëjë një punë të madhe te Napoli, duke i sjellë rezultate. Ngjan pak si kalimi mes Sakit dhe Kapelos te Milani.

Çfarë ka Ançeloti të veçantë?

Më ka bërë përshtypje ana e tij humane. Ka një personalitet të jashtëzakonshëm dhe hyn në kokën e lojtarëve. Për këtë u surprizova, kur u shkarkua nga Bajerni. Jam i bindur se mënyrë e tij e punës do t’i sjellë rezultate Naoplit.

Sarri te Çelsi, e mundur?

Është një trajner me ide të qarta për lojën. Duhet parë se sa të kënaqur do të jenë lojtarët e Çelsit, kur të punojnë me 200 në orë.

Çfarë mendoni për Mançinin trajner të Italisë?

Në kombëtare ka pak kohë për të punuar, duhet të kesh 2-3 koncepte. Edhe ai t’i të stërvitë kampionë të mëdhenj. Një trajner praktik, i duhuri për Italinë.

Bufon dëshiron të luajë akoma?

Nëse ka dëshirë, është e drejtë të vazhdojë të luajë. Ka mundësinë të luajë në një skuadër të madhe, që me siguri do të fitojë Championsin vitet e ardhshme. I uroj fat!

Cilët lojtarë duhet të mbajë patjetër Napoli?

Nuk mund të them emra. Them vetëm Hysajn, sepse e stërvit me Shqipërinë. Karlo e di mirë se çfarë duhet të bëjë. Nëse Napoli synon të bëjë hapin e madh në drejtim të kualiteti, duhet të mbajë më të mirët dhe duhet të blejë lojtarë që janë gati. Në Europë duhen lojtarë të gatshëm dhe jo produkt, me të cilin mund të punosh.