Sot, në 12:00, në Nion të Zvicrës do të hidhet shorti i Ligës së Kampioneve ndërsa në orën 13:00 do të hidhet edhe shorti për Ligën e Europës. Në Ligën e Kampioneve skuadrat e vazos së parë kërkojnë te shmangin skuadra si “Atletiko e Madridit”, “Liverpuli” apo “Totenhemi”.

Finalisti i edicionit të kaluar “Real Madrit”, shpreson për një short të lehtë që kalon nga Gelsenkirsheni i “Shalkes”, apo “Ajaksi i Amsterdamit” por dhe francezët e “Olimpikut të Lionit”. Te vazoja e dytë thuajse të gjitha ekipet urojnë që shorti t’u rezervojë “Porton”, me portugezët që, të paktën teorikisht, duken rivali më i lehtë ndër ata që janë kualifikuar si të parë në grupet e tyre.

“Juventusi” është mes favoritëve, por Alegri do ta evitonte një konfrontim në shkurt me “Liverpulin” apo “Atletikon”, ndërkohë që disa ekipe nga vazoja e parë do të duan të shmangin Romën, e cila po kalon një moment negativ, por që nuk është e thënë që ai të zgjasë disa muaj. Sot, në orën 13:00, në Nion të Zvicrës, do të hidhet edhe shorti edhe per “Ligën e Europës” që do të përcaktojë çiftet të cilat do luajnë fazën e 1/16-ve.

Në këtë pikë të kompeticionit nuk lejohen që të përballen ekipet nga të njëjtat shtete ose që kanë qenë në të njëjtat grupe teksa “Interi” dhe “Napoli” mund të gjejnë skuadra si “Gallatasaraj”, “Fenerbahçe” apo “Sportingu i Lisbonës”.