Alexandre Pato i është lutur ish-klubit të vet Milanit ta transferojë.
Pato i shënoi 63 gola dhe e fitoi një titull të Serisë A në gjashtë sezone te Milani dhe tani luan në Kinë për skuadrën e Fabio Cannavaros, Tianjin Quanjian.
Megjithatë, sulmuesi brazilian e ka bërë të qartë se do të dëshironte të kthehej në “San Siro”.

“Ta shohësh Milanin kështu është e trishtueshme, ama atyre u nevojitet durim”, ka thënë 28-vjeçari për Gazzetta dello Sport.

“Fakti që do të luajnë përsëri në Evropa Ligë është një hap i parë. Gattuso i ka befasuar dhe rinovimi ishte vendim i duhur”, shtoi ai.

I pyetur se a do të kthehej në Milan, Pato ka theksuar: “Ata kanë pronarë kinezë dhe mua më pëlqen futbolli italian. Jam i dashuruar në Milanin dhe qytetin, prandaj nuk do të mund ta refuzoja”.