Me marrjen e mandatit, na u desh të likujdonim 5 kontrata me vlerë prej 2.9 miliardë lekësh për ndërtimin e ‘Rrugës së Arbrit’, edhe pse ‘Rruga e Arbrit’ nuk dukej gjëkundi”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama nga Peshkopia, ndërsa u ndal te premtimet e pambajtura të qeverisjes së mëparshme për ndërtimin e “Rrugës së Arbrit”.

“Të tilla ishin kontratat e nënshkruara nga para-ardhësit tanë, për rrugë daullesh e shiritash pa buxhet, pas të cilave nuk bëheshin rrugë po copa rrugësh me gropa borxhesh”, – tha Rama.

Nuk është rastësi, vijoi Rama, që ultësirës dibrane, banorët i vunë emrin Topallti – vendi i pesë topave.

“Sa herë që merrnin rrugën e kryengritjes çlirimtare, paria e vegjëlia e kësaj krahine shihnin se si, drejt malësisë gjylet e topave të pushtuesit, vendosur aty si një shpatë Demokleu, ishin gati të gjëmonin, duke shfarosur pa dallim popullsinë. Në shek. XIX, kronikanë të huaj vinin re se Gegëria, e më veçanërisht krahina e Dibrës me krerët e saj, ishin gati t’i vinin zjarrin barutit të kryengritjes, sa herë që pushteti i imponuar qendror tentonte të hapte rrugë. A ishin dibranët kaq të prapambetur e dritëshkurtër për të luftuar me gudronin dhe asfaltin dhe për të refuzuar përparimin?” – tha ai.

Por, sipas Ramës, “atëbotë, sikundër në çdo kohë dallaverexhinjsh, dibranët refuzonin në fakt mashtrimin”.

“Mashtrimin e xhenierëve dhe jo punën e inxhinierëve. Mashtrimin e përvijimit të pushtimit ushtarak dhe një superstrukturë rrugore të konceptuar për të qarkulluar ata topa, që prej ultësirës nuk kërcënonin vetëm 9 malet dhe fiset, por edhe më tej, kosovarët vëllezër e të panënshtruar. Infrastruktura që sillnin vdekje, robëri dhe skamje”, – tha Kryeministri.

Për çudi, tha Kryeministri, “një qeveri shqiptare, e dalë prej një partie që krenohej e fryhej si kacek, si gjoja mbrojtësja dhe kumbarja e malësive tona fisnike, deri vonë, nuk i dhuroi perspektivës së zhvillimit të Dibrës, të Dibër-Shqipërisë, asgjë veç çorbës bajate të premtim-zhgënjimit”.

“Një ves i politikës së keqe, që plus kusureve të kohëve të hershme, skamjes e vdekjes, pruri edhe një dozë topitëse dhe paralizuese korrupsioni dhe imoraliteti të paprovuar me parë”, – tha Rama.

Gjithë kakofonia që ka mbështjellë si një napë nën rrogoz shpërdorimet e qeverive paraardhëse, sipas Kryeministrit, ka qenë një premtim-zhgënjim.

“Dhe fatkeqësisht i vetmi realitet, deri më sot, kanë qenë shpërdorimet e tyre që lanë pas rrugë të lëna rrugëve e një mal borxhesh dhe përçapjet tona rraskapitëse për të shlyer borxhet e për të riparuar pasojat e rëndomta të planeve të tyre grandioze e të projekteve qorre pa asnjë plan”, – tha Rama.

“Rruga e Arbrit” dhe sorollatjet e një krahine të tërë, sipas tij, kanë qenë veç korija që fshehu për shumë kohë pyllin e makutërisë, me tymnaja premtimesh e tam-tame inaugurimesh në tym.