Një 21-vjeçar nga Kamza është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka përdorur një të mitur për të realizuar vjedhjen e turistëve në plazhin e Golemit. Policia tha se ka referuar materialet në Prokurorinë e Kavajës dhe po punon për kapjen e shtetasit me iniciale K.C., pasi ka shtyrë për të vjedhur një 12-vjeçar me iniciale A.I..
I mituri u ndalua paraditen e së shtunës nga Policia e Kavajës, pasi kishte vjedhur një çantë me një shumë parash dhe një celular të një turisti nga Maqedonia. Ngjarja ka ndodhur në plazhin e Golemit, ku shtetasi 27- vjeçar me inicialet R.F., kishte ardhur për të pushuar nga Maqedonia prej disa ditësh. Pas denoncimit të vjedhjes, Policia ka arritur të identifikojë dhe të ndalojë menjëherë autorin, shtetasin e mitur me inicialet A.I., banues në Golem.Më pas 12-vjeçari ka treguar se ishte shtyrë nga një djalë më i rritur për të realizuar vjedhjen. “U referuan materialet në Prokurorinë e Kavajës dhe po punohet për kapjen e shtetasit K.C., 21 vjeç, banues në Kamzë, pasi ka shtyrë për të vjedhur të miturin me iniciale A.I., 12 vjeç, banues në Golem”, tha zyrtarisht Policia e Tiranës.j.j