Nga Arbër Metuku/

Dr. Pek është një psikanalist dhe autor Amerikan. Ai mbetet edhe sot autoritet i njohur në nivel ndërkombëtar për mençurinë që ndan në librat e tij mbi psikikën e njeriut dhe rritjen shpirtërore. Pek shërbeu në postet administrative në qeveri gjatë karrierës së tij si psikiatër. Ai gjithashtu shërbeu në Ushtrinë e SHBA dhe u ngrit në rangun e nënkolonelit. Detyra e tij kryesore ishte si shef i psikologjisë në Qendrën Mjekësore të Ushtrisë në Okinaëa, Japoni.

Në vitin 1992, Dr. Peck u zgjodh nga Shoqata Psikiatrike Amerikane si pedagog e psikiatër i shquar “për arritjet e tij të jashtëzakonshme në fushën e psikiatrisë, edukimit dhe studimit”.

Libri i parë i Skot Pek, “Rruga në të cilën rrallë shkohet”, vazhdon të qëndrojë prej shumë vitesh në listën e librave bestseller të së gjitha kohërave. Te “Përtej rrugës në të cilën rrallë shkohet”, që është një vazhdim po aq i mençur dhe i thjeshtë i librit të parë, autori rrëmon edhe më thellë në çështjet e jetës së përditshme me të cilat përballemi dhe na sfidojnë të gjithëve në ditët e sotme: me fajin dhe faljen, me aspektin kafshëror dhe atë shpirtëror. me vdekjen dhe kuptimin e jetës, me familjen dhe marrëdhëniet, me pranimin e përgjegjësive dhe rritjen tonë shpirtërore.

Kjo vepër, e shkruar me shumë inteligjencë dhe ndjeshmëri, bazohet në përvojën e autorit, si atë profesionale, ashtu edhe atë personale pasi na mëson si të sfidojmë mentalitetet e gabuara duke sugjeruar një rrugë nëpër të cilën mund të vazhdojmë të ecim përpara, rrugë e cila na tregon se ndryshimi dhe rritja personale janë gjithmonë të mundura, pavarësisht se sa i vështirë dhe i ndërlikuar është udhëtimi.

Konkretisht, Skot Pek e fillon analizën e tij duke vëzhguar fenomenet moderne që karakterizojnë shoqërinë e sotme. Gjatë kësaj analize, na shpjegon se njeriu i sotme është shndërruar në një konsumator pa arsye, qëllime apo objektiva duke qenë pjesë e rrotës “shopenhauriane” përmes dëshirave të tij, të cilat në shumicën e rasteve, janë të përbëra prej lëndës materiale. Pyetja që nge Pek, me të drejtë është nëse ka apo jo një mundësi përmirësimi.

Duke zhvendosur lentën e analizës nga shoqëria tek individi, autori përgjigjet se ekziston një mundësi përmirësimi, por për ta aktualizuar këtë përmirësim individi nevojitet të udhëtojë e të thellohet tek rrënja themelore e manifestimeve të ndryshme të personalitetit, pra tek koncepti i Vetëdijes.

Vetëdija, individuale dhe kolektive, e shoqërisë moderne karakterizohet nga vuajtja neurotike, problemet dhe vetëvlerësimi i rremë. Të gjitha këto shfaqen gjatë përditshmërisë njerëzore ku njerëzit vuajnë prej banaliteteve, çdo gjë e shohin si një problem dhe për t’i bërë ballë kësaj situate të zymtë ndërtojnë barriera të rreme psikologjike, siç mund të cilësohet me të drejtë vetëvlerësimi i rremë.

Përkundër kësaj gjendjeje, Pek sugjeron që çdo individ përmes vetëdijes së tij, mund të ndryshojë këto qëndrime përmes reflektimit, thellimit dhe njohjes së vetes. Përkundrejt vuajtjes pa shkak, Pek e fton lexuesin që të arsyetojë, të kuptojë se pse vuan, nga ku buron vuajtja dhe të mund ta transformojë këtë vuajtje në eksperiencë, përvojë e për pasojë në mençuri. Kundrejt mentalitetit që çdo gjë e konsideron si problem, autori shpjegon se ajo çka kemi ne në dorë është qëndrimi që mbajmë kundrejt gjërave, ndaj atë që deri dje e shihnim si problem sot mund ta shohim si ngarkesë të vlefshme.
Ky mentalitet i ri i jep dikujt mundësinë që të rritet prej ngarkesës dhe ta vlerësojë ngarkesën si një kut matës për rritjen. Tek e fundit, ky është mentaliteti i shumicës së personazheve mitologjikë, heronjve dhe superheronjve të ndryshëm. Pa sfidë, asgjë nuk mund të tejkalojë vetveten.

Kundrejt vetëvlerësimit të rremë, autori na fton që të kultivojmë dashurinë për veten. Në këtë vepër nuk i referohemi një dashurie egocentrike dhe subjektive, por një dashurie intime me veten dhe të vërtetën. Kjo lloj dashurie i mundëson njeriut të dijë se kush është dhe se përse ekziston. Dashuria për veten nuk është një barrierë mbrojtëse, por një arë pjellore që mbillet me mendime, reflektime dhe ndjesi të sinqerta të një individi në raport me veten, shoqërinë dhe botën.

Dy prej pikave themelore të veprës janë përgjegjësia dhe edukimi. Përgjegjësia është një nevojë e brendshme e njeriut që kërkon vetërealizimin dhe edukimi është karakteristikë thelbësore e filozofit të çdo epoke, pasi Edukimi, në vetvete, është dashuri. Si përfundim, kjo vepër mundëson që të reflektojmë dhe përse jo, të zbatojmë disa këshilla të vlefshme për kultivimin e një personaliteti më të mirë e më të shëndetshëm. /Akropoli i Ri/