Me datë 23 prill 2019, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha firmosi marrëveshje me partitë e vogla aleate, për krijimin e koalicionit opozitar.
Lulzim Basha ka bërë bashkë në koalicionin e tij opozitar, çamët dhe grekët, PDIU-në e Idrizit dhe PBDNJ-në, e Dules. Dy parti që në themelet e tyre nuk kanë asgjë të përbashkët. Dule nuk ka folur kurrë për këtë aleancë, megjithëse iku nga Rama pikërisht për shkak së Shpëtim Idrizi, u bë nënkryetar Kuvendi.
Nga ana tjetër, Idrizi ka qënë mjaft i qartë në daljet e tij mediatike, ku ka theksuar se koalicionin e ka me Bashën. Pra, Lulzim Basha ka krijuar një koalicion partish ku një parti e ka vetëm me një tjetër e të tjerat janë kot aty.
Por, që në hapat e parë, duket se ka dalë hapur përplasja në koalicionin opozitar. Ditën e djeshme, Lulzim Basha mblodhi në një takim opozitën, për të prezantuar platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe detyrat e qeverisë tranzitore.
Por, takimi i Bashës, u bojkotua nga aleati i tij, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, pasi aty ka qënë Shpëtim Idrizi.
Në fakt CNA.al bëri një vëzhgim nga të gjitha takimet e koalicionit dhe asnjëherë nuk kanë qënë bashkë Dule dhe Idrizi.
Ose është njeri ose tjetri në takime, duke shmangur kështu qëndrimin bashkë në koalicion. Për më tepër, nuk mund të gjesh asnjë foto të Dules dhe Idrizit bashkë. Duket se brenda opozitës ekziston një përplasje e fortë që është themeli i PBDNJ-së dhe PDIU-së, njëra më tezat pro greke dhe çamët me kërkesat për pronat dhe të drejtat e tyre në Çamëri e Greqi
Kjo përplasje përtej skenës politike i ka bashkuar nën sqetullën e Lulzim Bashës, por duket se hesapet janë të hapura. Përplasja Dule-Idrizi dhe anasjelltas vazhdon, dje doli hapur dhe koalicion i opozitar tregoi publikisht se nuk është aq solid sa duket.
Disa prej tyre janë në krah të Lulit edhe për shkak se i ka detyruar sistemi dhe fitorja e Edi Ramës në 2017-ën, i cili mori 74 mandate duke i nxjerrë jashtë qeverisë të gjithë aleatët e vegjël, të cilët janë mbledhur rreth Lulit duke pritur që ai ta ketë tepsinë e madhe dhe t’i përfshijë të gjithë edhe ata aleatë që s’kanë vota fare./ CNA.al