I derguari i SHBA ne Beograd Richard Grenell dhe presidenti i Serbise Aleksander Vucic
Këshilltarja e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, Suzana Vasiljeviq, ka folur për vështirësitë e takimit të tij me të dërguarin special të SHBA Richard Grenell, për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.
Vasiljeviq, ka deklaruar se takimi i Vuçiç me të dërguarin special të SHBA ishte shumë i vështirë, dhe presidenti serb ka mbajtur shënime si asnjëherë më parë për ato çfarë thoshte Grenell. “Ajo që është e pazakontë është që Presidenti po merrte shënime vetë për herë të parë. Bisedimet ishin dukshëm tejet të vështira dhe ai (Vuçiç) nuk ishte në gjendje të flasë për të edhe me ne”, deklaroi këshilltarja e Aleksandër Vuçiç.
Sakaq, dhe mediat afër presidentit serb shkruajnë se i dërguari i Trump në Beograd ka qenë shumë i prerë dhe i qartë në kërkesën e tij. “Prano Kosovën” është shprehur diplomati amerikan Richard Grenell, raporton newsbomb.al.
Gjithashtu, në Serbi mediat shkruajnë se takimi ka qenë shumë i rëndë për Vuçiç, aq sa presidenti për herë të parë nuk ka preferuar dhe nuk ka thënë asnjë fjalë për mediat pas takimit me të dërguarin special të SHBA. Sot, një javë pas takimit me Grenell, Vuçiç është shprehur se Serbia nuk do të mund ta përballonte kurrë turpërimin, duke mos e specifikuar qëllimin e deklaratës.
“Është më e lehtë për mua ta paguaj çmimin, por këtë nuk mund ta bëj Serbia, dhe Serbia nuk do të mundte kurrë ta paguante çmimin e turpërimit”, ka thënë sot preidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, ndërkohë mediat në Beograd i lidhin deklaratat me takimin e një javë me parë, me të dërguarin special të SHBA Richard Grenell.