Kultivimi i luleshtrydheve mbetet një biznes fitimprurës për fermerët. Prodhimi i luleshtrydhes në vend, kryesisht në zonën e Fierit dhe Lushnjës po njeh rritje ndër vite krahas kërkesës së shtuar në tregun vendas dhe për eksport, të këtij produkti.

Luleshtrydhja dikur një treg i furnizuar gati 90% nga importi, është shndërruar që nga 2014 në potencial për eksport deri në vendet e BE-së.

Sipas shifrave të 2015 dhe 2016, eksportet e luleshtrydhes shqiptare janë 10-fishuar, në peshë dhe vlerë. Partnerët kryesorë tregtarë mbeten ata rajonalë, si Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Ndërsa në vitin 2016, janë shtuar edhe vende si Italia, Rumania, Bullgaria.

Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, sipërfaqja e mbjellë është rritur edhe në 2018. Sasia e prodhuar është dyfishuar nga viti 2016 në 2018, duke arritur mbi 4 mijë tonë.

Rritja e prodhimit me këto ritme është reflektuar në tregun e brendshëm, me një çmim të ulët. Një kilogram luleshtrydhe, ndryshe nga vitet e tjera, në muajin prill, e gjen në treg në Tiranë edhe 200-250 lekë.

Të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se në vitin 2016, sipërfaqja ishte 91 hektarë. Ndërsa në vitin 2018, sipërfaqja e mbjellë është përqendruar në zonën e Fierit, duke arritur në 111 hektarë, me një rritje të lehtë prej 5,5%.