Nga Andi Kurti/

Cili është qëllimi i ekzistencës së njeriut? Kjo është një pyetje që e ka shoqëruar njeriun qysh nga krijimi dhe duket se do ta shoqërojë atë deri në fund, pasi gjasat për një përgjigje definitive janë shumë të pakta. Kjo pasi përgjigja e kësaj pyetje, më shumë se sa një pyetje që kërkon përgjigje të jashtme objektive që shërben si një emërues i përbashkët i gjithë njerëzimit, është një pyetje që kërkon një përgjigje të brendshme të vetë qenies njerëzore. Kjo gjë e mvesh me objektivitet sipas optikës së gjithsecili duke mos lejuar që të konkludohet në një përgjigje të njëjtë për gjithë njerëzit. Nga ana tjetër është ky subjektivitet që i jep kuptimësi procesit për t’i përgjigjur kësaj pyetjeje, pasi është një marrëdhënie vërtetësie vetëm e atij që pyet në raport me qenien e tij.

Përpos gjithë sa thamë më lart, të lashtët janë munduar t’i japin një përgjigje kësaj çështje kaq ekzistenciale. Për lindorët, qëllimi i ekzistencës ose i jetës na përkufizohet sipas një termi “Darma”. Darma është rruga e zhvillimit të një ose disa qenieve. Pra është shkaku dhe pasoja e ekzistencës së dikujt, fillimi dhe fundi. Para 200 vitesh ky koncept ishte pothuajse i panjohur për perëndimin, derisa ezoteristja H. P. Blavatski e solli në perëndim së bashku me një sërë dijesh të tjera nga lindja.

Kështu, nën rrugën e ndërtuar nga Blavatski, nxënësja e saj, Annie Bessant, një figurë shumë e njohur e ezoterizmit dhe aktivizmit shoqërore, foli dhe shkroi për Darmën, duke u mundur ta shpjegojë më gjerësisht këtë koncept, shpjegim të cilin e ka përmbledhur në një libër të titulluar “Darma”.

“Darma” është e ndarë në 3 kapituj, ku në kapitullin e parë “Diferencat” trajton temën e Universit si një qenie e përbërë nga shumë elementë, ku secili prej elementëve është dhe duhet të jetë i ndryshëm nga të tjerët. Në mënyrë që këto diferenca të kuptohen qartazi në këtë kapitull shpjegohet koncepti i Darmës i bazuar në karakteristikat e kastave indiane, ku mund të përcaktohet Darma e një punëtori, tregtari, luftëtari e deri te Darma e një drejtuesi.

Në kapitullin e dytë “Zhvillimi” shpjegohet se çfarë do të thotë zhvillim, duke u nisur së pari nga të kuptuarit e arsyes se përse ekziston zhvillimi dhe përse nuk mund ta shmangim atë. Të gjitha qeniet në potencial janë perfekte, i ngjajnë idesë së perfeksionit, por nevojitet që përmes jetës së tyre të mund ta fitojnë këtë perfeksion.

Në kapitullin e tretë “E drejta dhe e gabuara” trajtohet më gjerësisht koncepti i moralit si një mentalitet i një totali, por jo ekskluzivisht si mentaliteti më i vërtetë i mundshëm. Në këtë kapitull transmetohet ideja e së drejtës dhe të gabuarës.

Libri “Darma”, një nga perlat e ezoterizmit, tashmë është përkthyer edhe në shqip nga Botime Akropoli i Ri dhe mund të aksesohet në të gjitha libraritë e Tiranës. (Botime Akropoli i Ri, Andi Kurti)