Kryeministri Edi Rama ishte sot në Picallë, Petrelë, në banesën e re të Mynyr Stafës, familja e të cilit mbeti jashtë nga tërmeti i 21 shtatorit.
I shoqëruar nga kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, Rama pa nga afër ambientet e shtëpisë së re si dhe shpërndau dhurata për fëmjët.
“Mynyr Stafa, bashkëshortja dhe tre fëmijët e vegjël, mbetën jashtë nga tërmeti i shtatorit, por Vitin e Ri do ta presin në shtëpinë e re, ashtu sikundër të gjithë ata që sot jetojnë çadra në oborret e tyre në fshat, si pasojë e tërmetit të madh, Vitin e Ri 2021 do ta presin në shtëpi të reja, shumë më të mira se sa ato që humbën në fatkeqësinë e 26 nëntorit”, tha kryeministri Rama.
Kryetari i bashkisë, Erion Veliaj informoi kryeministrin se sot Këshilli Bashkiak sapo ka miratuar 300 qira të tjera të mbuluara 100% nga bashkia.
“Sot ju na keni akorduar fondin për të bërë studimin e thellë të pallateve dhe në momentin që studimet e thella i nxjerrin disa pallate të rikuperueshme u themi banorëve se do të rikthehen në pallat dhe përfundon qiraja, sepse edhe njerëzit duan të kthehen në normalitet”, tha Veliaj.