Pas përfundimit të punimeve 2 vjeçare është inauguruar sot përfundimi i fazës së parë i Pazarit të Gjirokastrës.
E pranishme në këtë takim përveç personaliteteve të shumta ishte dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro e cila tregoi punën e realizuar për përfundimin e këtij investimi strategjik dhe mjaft interesant për pushuesit.
Ministrja u shpreh se projekti ishte mjaft i qartë për t’i kthyer vëmendjen e munguar qytetit të gurtë, Gjirokastrës.
“Lëkura e gurtë e Gjirokastrës ka duruar shekuj, por nuk duhet ta fshehim faktin që në këto 30 vitet e fundit, ja kemi bërë plagë lëkurën Gjirokastrës.
Nuk duhet të harrojmë se qendra kryesore e Gjirokastrës u braktis jo pak, u la në rënie të lirë. Nuk e fshehim dot se u harrua nga të gjitha qeverisjet.
Kjo ishte Gjirokastra që gjetëm në vitin 2013, me sokaqe cop cop me një qendër historike të sfilitur, duke filluar që nga 6 këndëshi i famshëm.
As me 3 hotele tamam në gjithë qytetin dhe me 1 restorant e gjysmë.
Ne nuk kishim dilemë se Gjirokastra ishte dhe mbetet një prioritet, besoj kemi qenë shumë të qartë në këtë projekt për t’i kthyer Gjirokastrës vëmendjen e munguar e të merituar. I jam shumë mirënjohëse Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për zhvillim. Pasi ia kishim dalë me sukses në projektet tona të përbashkëta për rijetëzimin e Bulevardit të Beratit e Pazarit të Krujës, pasi kishim nisur punën për Pazarin e Korçes, ju miq nuk mund të hezitonit për Gjirokastrën. Edhe mirë bëtë!”, u shpreh Kumbaro.
Duke u ndalur te investimet ministrja Kumbaro u shpreh se investimi prej 3.5 mln dollarësh në mbi 5000 mijë metra katrorë ka rritur vlerën e pronës si asnjëherë.
“3.5 mln dollarë investime në mbi 5000 mijë metra katrorë investim që janë në fakt prona të rivlerësuara si asnjëherë”, përfundoi Kumbaro.
Sipas ministres së Kulturës edhe në këto muaj sokaqet janë të tejmbushur nga vizitorët e huaj dhe vendas, ku në “Booking.com” ka 91 oferta akomodimi për në Gjirokastër të cilat ndodhen brenda qendrës historike.