Nga Ilir Yzeiri

Në Shqipëri po krijohet një traditë e kundërshtimit publik që, edhe kur nis me një arsye të shëndoshë apo edhe kur i bën jehonë një kauze të ndjeshme për publikun, ajo, menjëherë, projektohet si luftë pa kompromis kundër Edi Ramës dhe për të çuar më tej kauzën zgjidhen mjetet e luftës politike totalitare, sepse menjëherë Edi Rama projektohet si diktatori, si kreu i mafies, si nëna e gjithë të këqija dhe, nga ana tjetër, ata që nisën kundërshtimin publik harrohen dhe, në vend të tyre, reshtohen Sali Berisha, Tit Vasili, Monika Kryemadhi dhe gjithë opozita e lodhur që tani jo vetëm ka shterur nga idetë, por ka humbur edhe orientimin. Ajo është kthyer në një detashment të gatshëm për të vjedhur kauzat e grupeve të ndryshme të interesit që, në një demokraci normale, kanë arsye të protestojnë e të kundërshtojnë qeverinë.

Si sot një vit më parë, studentët nisën një protestë model dhe artikuluan disa të vërteta që e bënë qeverinë të shkundet dhe të riformatohet. Mirëpo, të gjithë e mbajmë mend se si u shpartallua ajo prtestë dhe se si u shkatërruan ato ideale sapo atë lëvizje e privatizoi opozita, dhe sapo militantët e saj si një grup i gatshëm e keqpërdorën dhe e transformuan në një përplasje banale me Edi Ramën. Kujtoni po ashtu protestat te Astirit si nisën dhe si u bitisën.

Dhe ja tani të njëjtët personazhe, e njëjta retorikë, të njëtat studio që çirren se po vdes liria e shtypit, se Edi Rama po dhunon mediet e plot e plot marrëzi të tilla. Pse marrëzi ? Marrëzi sepse në Shqipëri jo vetëm që nuk ka dhunim të medias por ka dhunim nga media mbi publikun. Nuk ka snjë vend normal në botë që të fillojë bisedat në studio në oraret e para të mbrëmjes, në ato që ndiqen nga fëmijët, dhe të përleshen e të shahen të ulërijnë e të përdorin fjalorin më të ulët të mundshëm për argumente që jo vetëm nuk kanë lidhje me publikun, por që edhe nuk i inetresojnë atij. Të tilla biseda zakonisht jepen në orare të vona.

Në këtë vend televizionet gjeneraliste, por edhe të tjerë më të vegjël janë kthyer si qendra zjarri të artilerisë së rëndë të sherreve e sharjeve ku secili nga ata që vjen në panel ka vetëm një punë ose të mbrohet nga sharjet ose të shajë pa llogaritur njeri. Kriza që ka mjedisi publik në Shqipëri nuk është kriza e lirisë së shtypit apo e dhunimit të së drejtës së gazetarëve, ajo është kriza që ka përfshirë një pjesë të aparatçikëve që kanë zaptuar mediet televizieve apo portaleve – me Edi Ramën. Në asnjë prej këtyre studiove, dhe në asnjë prej argumenteve që ngrejnë aparatçikët e mediave nuk ka interes publik.

Në çdo vend të botës, liria dhe pavarësia e medies matet dhe për të ka tregues të poraçëm. Statistikat ndërkombëtare kanë vënë re se Shqipëria është ndër vendet me aksesin më të shpejtë në internet. Si mund të thuash që qeveria kufizon lirinë e informimit kur autostrada e internetiti është e aksesueshme nga cilid dhe kudo. Le të më tregojnë ata që akuzojnë Edi Ramën se po dhunon medien se po shkel lirinë e gazetarëve një rast kur kjo ka ndodhur. Le të më thonë një rast kur kjo liri i është mohuar një medieje, kur një gazetar ka humbur profesionin për shkak të kësaj dhune. Le të më tregojnë vetëm një rast.

Historia e zhvillimit të medieve në Shqiëri ka një të kaluar të hidhur. Për ata që nuk e mbajnë mend, Sali Berisha e vonoi ligjin për mediat private deri atëhere kur nuk mbante ujë pilafi dhe deri në vitin 1996 përdorte televizionin shqiptar për qëllime politike dhe për të poshtëruar kundërshtarët. Djegia e gazetës « Koha Jonë » dhe rrëmbimi i shtypshkronjës së « Temës » tani quhen të harruara ndërsa burgu për Frangajn e Lekajn shërbeu vetëm për të rindezur pasionin e kompleksit të Stkholmit për të rënë në dashuri gardiani me të burgosurin.

Ata që monitorijnë lirinë e fjalës dhe pushtetin mbi mediet e dinë se nëse do të kishte ndodhur kjo, qeveria do të kishte monoplizuar Televizionin publik dhe do të kishte kufizuar me masa shtrënguese mediet e tjera konkuruese. Orban në Hungari dhe Vuçiç në Serbi akuzohen pikërisht për këtë. Kush i ka ndjekur portestat e opozitës në Serbi kujtohet se në një prej tyre portestuesit pushtuan Televizionin publik, ashtu si në Hungari. Ndërsa te ne Edi Rama jo vetëm që nuk e përdor atë gërmadhë por ka përgjegjësinë se vazhdon ta ushqeje me financim një karaktinë që tani nuk i hyn në punë askujt.

Natyrisht çdo ndërhyrje e qeverisë në ligjin për mediat është për t’u shqetësuar, sepse sido që të jetë, qeveria dhe aktorët e medieve, që tashmë kanë dhe internetin si kanal, nuk kanë interesa të njëjta. Mirëpo, nëse e sheh me vëmendje ndërhyrjen në këtë ligj aty do të vëresh se ka një teprim me kopetencat që merr AMA. Por kjo është një gjë që mund të ndreqet gjatë rrugës me amendime të ndryshme. Ndërsa përpjekja për të frenuar shpifjen dhe fyerjen dhe për të vendosur kufij në ligjërimin e shthurur të atyre që kujtojnë se duke u fshehur pas një adrese të rreme mund të terrorizojnë njerëz të zakonshëm dhe ata që kryejnë punë publike, është për t’u përshëndetur.

Duke qenë se gjithë kjo « luftë » zhvillohet në ligjërim, pra nuk prek asnjë njeri dhe nuk ka asnjë ndikim në jetën publike, Edi Rama edhe njëherë jo vetëm që del i fituar, por konsolidon pozitën e tij në ligjërimin publik si një autor që vështirë ta konkurosh. Gjithë ata që e paraqitën këto ditë si ikonën e gjithçkaje të errët që lidhet me shtypin harruan se ndërtuan një imazh pa referencë.