“Mesazhi për vijimin e reformave është garanci për apelin me një zë kaq të fortë për t’iu rikthyer bisedimeve”, tha sot kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla në një intervistë televizive, pasi Parlamenti Europian miratoi rezolutën për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

“Padyshim që pas mungesës së një vendimi javën e shkuar për bisedimet, fakti se sot më shumë se 3/4 anëtarët e PE, nga grupe më të rëndësishme politike të Parlamentit, theksoj: grupi i partive Popullore Europiane, grupi i Socialistëve e Demokratëve, kanë mbështetur këtë rezolutë e cila është një mesazh i rëndësishëm për KE, drejt të cilit drejtohet edhe rezoluta. Rezoluta i drejtohet dhe Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut me një mesazh përshëndetës për gjithçka kanë bërë për sa i përket rrugës europiane. Në rezolutë shprehet qartë vlerësimi për Reformën në Drejtësi, për rezultatet impresionuese të procesit të Vetingut. Apo dhe Marrëveshja e Prespës, apo çështja e emrit për Maqedoninë e Veriut. Shqipëria është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që vlerësohet për politikën e jashtme”, tha Balla.

Po ashtu, Balla tha se “duhet të jetë e qartë për këdo në Shqipërisë që mundohet që të gjejë arsye të tjera për mosvendimmarrjen e KE, dhe kjo s’ka të bëjë fare me atë që kanë bërë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, por lidhet me çështje të ndërveprimit të vendeve anëtare dhe Këshillit”.

“Së pari, duhet të themi se jemi në një fazë ku Shqipëria vijon procesin e rëndësishme të implementimit të Reformës në Drejtësi. Ato janë në proces realizimi. Edhe sot ka vijuar puna në Komisionin për Reformën Zgjedhore për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Shqipëria çdo ditë ecën përpara lidhur me përmbushjen e detyrave të shtëpisë. Ajo që është e rëndësishme dhe duhet ta kuptojmë, ju i keni ndjekur diskutimet e shumë deputetëve nga shumë krahë të politikës, edhe nga grupi ku bën pjesë Macron, kanë qenë mesazhe drejtuar Këshillit Europian për të ruajtur kredibilitetin e vendimmarrjes në Këshill. Për sa kohë KE është i vetmi institucion për të vlerësuar performancën dhe rekomandon për të dytin vit radhazi dhe PE voton për fillimin e bisedimeve, atëherë dhe vendet anëtare duhet të lënë mënjanë çështje të karakterit të brendshëm, por duhet të ruajnë kredibilitetin e vendimmarrjes”, tha Balla.