Në zonat malore të qarkut të Korçës, ku gjatë natës ka pasur reshje dëbore që ka arritur në 5-10 cm, të gjitha akset nacionale janë të kalueshme.
Prefektura e Korçës bën të ditur se “në aksin rrugor Boboshticë – Dardhe dhe pjesërisht Qafa se Qarrit qarkullohet me zinxhirë. Në akset rrugore rurale deri në qendrat e njësive administrative qarkullimi është normal me përjashtim të segmentit Ura e Floqit – Vithkuq, ku qarkullimi bëhet me zinxhirë”.
Në segmentin rrugor Voskopojë – Lekas është duke u punuar për hapjen e rrugës. Me zinxhirë qarkullohet edhe në fshatrat Lubonje, Rehovë e Roshanj të njësisë administrative Vithkuq si dhe në fshatin Arrëz të njësisë administrative Miras.
Sipas prefekturë ka vështirësi në rrugët e fshatrave Pepellash – njësia administrative Mollas, Panarit,- njësia administrative Vithkuq, Desmire dhe Marjan , njësia administrative Gore, në fshatrat Sterkanj, Nice, Derdushe, Osnat dhe njësia administrative Dardhas.
“Momentalisht nuk ka energji në zonën e Lekasit, në fshatin Senisht të njësisë administrative Gore, fshatin Llëngë të njësisë administrative Trebinjë dhe fshatrat Kaduc, Kabash, Shijan dhe Selenicë e Pishës të bashkisë Kolonjë”, thekson prefektura duke shtuar se OSHEE po punon për riparimin e defekteve.