Nga Altin Ketro/
Në një dalje publike, zëdhënësja e qeverisë, zonja Elisa Spiropali, pasi foli mbi përfitimet që publiku shqiptar ka pasur nga mbyllja e kazinove dhe basteve sportive, në fund, ndonëse nuk u pyet, shtoi vetë një qëndrim mbi çështjen e ngjarjes në Kavajë ku një vajzë minorene pësoi tragjikisht përdhunim në grup. Menjëherë pas fjalës së saj, e cila duhet thënë, nuk ndodhi nga pyetje gazetarësh që të kapin të papërgatitur, por duket se ishte një mendim i arsyetuar qartë mbi mesazhin që duhet të përcillte, pra pasi ajo foli, shpërthyen gjithandej komente deri denigruese kundër figurës së saj.
Po, çfarë kishte ndodhur në të vërtetë që rrjeti ziente? Kish ndodhur ajo që ndodh zakonisht e rëndom nga portalet online. Titujt e tyre intrigues e kishin bërë të vetën. Më i përhapuri ishte titulli: “Elisa Spiropali: Si rasti i Kavajës ndodh edhe në vende të tjera, bile janë bërë edhe filma”. Kaq thoshte titulli dhe për ta kuptuar se çfarë ajo kishte thënë, duhet të klikoje linkun e portalit. Hëm, këtu qëndron problemi. E cili është ai që ia ka ngenë të klikojë?! I mjafton vetëm titulli dhe ai që ka bërë i pari komentin poshtë titullit, të cilin lukunia e komentuesve e beson verbërisht, e që aty nis një valë sharjesh, ofendimesh, aq sa mund të shkruhen dhjetëra fjalorë erotikë e sërish mos kenë të mbaruar.
Ka një problem shumë të madh këtu, që mund të jetë edhe botëror, ku konsumatorët e lajmeve nuk lexojnë, po fare ama. Kapen pas një titulli provokues që portalet i vendosin pa teklif, nganjëherë edhe qëllimisht, dhe të ndikuar prej tij kalojnë në ekstrem.
Çudia është se këtë nuk e bëjnë vetëm komentues të zakonshëm që shfryjnë gjithë frustrimin e tyre kundër ndonjë qeveritari që nuk e duan politikisht, por në këtë batare fjalësh bien edhe soj njerëzish me njëfarë niveli kulturor, që s’e zgjatën po direket gishtat në tastierë dhe vuuu, më keq se ata komentuesit e tjerë të rrjeteve sociale. “Përdhunim të dytë”, e quante dikush qëndrimin e zonjës Spiropali, dhe sërish portalet të gatshme ta përhapin postimin e tij.
Hej bela, e lexon, e dëgjon edhe ti atë çka tha zonja Spiropali dhe vihesh në një fare sikleti: Mos vallë jam budalla dhe s’e kuptoj fare se çfarë ka thënë ajo?! Mos janë më të mençur këta të tjerët që e zbërthejnë më qartë fjalën e saj?!
Jo mor jo, s’janë fare të mençur. Janë hileqarë e të paditur, që as lexojnë, as kuptojnë, e as mendojnë. Janë thjeshta dashakeqës, transformues fjalësh, interpretues të qëllimtë me synim negativizimin e personit dhe hedhjen e tij në tregun e përbaltjes prej llumit.
Nuk kam si synim të marr në mbrojtje zonjën në fjalë, por nuk mund të rri ta shikoj i qetë këtë llum fjalësh që përhapen si hiena për të të shqyer, e të vë në dyshim inteligjencën time të të menduarit e të kuptuarit në trajtë të drejtë të të gjithë ligjëratës prej pak minutash që zonja Spiropali donte të transmetonte.
Ajo e dënoi aktin e përdhunuesve, i kërkoi prokurorisë ta hetojë çështjen e rëndë deri në fund, njoftoi se policia e kishte bërë punën e saj qysh në çastin e denoncimit, kurse institucionet po e trajtonin vajzën nga ana psiko-sociale e shëndetësore. Nisur nga deklaratat e opozitës, që edhe për këtë rast duan të bëjnë politikë duke akuzuar qeverinë me qëllim intimidimin e opinionit publik kundër qeverisë për ngjarje me kaq shumë ndjeshmëri brenda, ajo bëri edhe një sqarim në aspektin politik: “Raste të tilla fatkeqësisht ndodhin edhe në vende të tjera më të zhvilluara, raste në Amerikë, Suedi, Finlandë e kudo tjetër, bëhen edhe filma për raste të tilla të tmerrshme që kanë një ndjeshmëri të lartë sociale, ama, kurrë, asnjë parti politike në këto vende, nuk del për ta përdorur rastin për politikë dhe për të gjetur fajtorin, shkaqet dhe pasojat tek qeveria e një vendi”.
Kjo fjali, e shkëputur nga konteksti, e dhënë prej portaleve sikur zonja Spiropali po e thjeshtonte çështjen, demek, se ajo po thoshte që, “s’ka problem se ndodhi kjo, se këto ndodhin edhe nëpër botë”, është një formë e turpshme për të marrë ca klikime. Më e neveritshme bëhet ajo pastaj kur fillon e transformohet në formë opinionesh të cilat, edhe ato, marrin më pas dhenë, duke përcjellë tek publiku një informacion të gënjeshtërt.
Natyrisht, jo të gjithë kanë interes ta lexojnë apo dëgjojnë atë çfarë zonja Spiropali tha. Pikërisht, duke abuzuar me këtë gjë, u gjet forma më ekstreme, ajo e shëmtuar, e transformimit të fjalës. Secili prej nesh duhet të ndjejë përgjegjësi që të reagojë në raste të tilla, sepse indiferenca ndaj një fenomeni të tillë u jep krahë dhe i motivon më shumë këtë kategori portalesh të cilat, komentues pas komentuesi, bëhen përçues të një të pavërtete duke luajtur me dinjitetin dhe personalitetin e një gruaje, pavarësisht postit, për ta përbaltur, po aq përdhunshëm prej gojëve të ndyra, sa vetë akti kriminal i Kavajës. E, në këtë lloj përdhunimi nga fjalët, jemi të rrezikuar të gjithë ne!(TemA)