Pakkush e kishte parashikuar se në një grup me Argjentinën, dy skuadrat që do të shkonin në ndeshjet e fundit me shanset më të mëdha për të kaluar turin do të ishin Kroacia me Islandën. Kroatët kanë prerë që tani biletën për turin tjetër dhe mund të mendojnë të qetë për takimin e radhës, ndërsa islandezët duhet të fitojnë dhe të shpresojnë te suksesi argjentinas për të vazhduar më tej në këtë turne.

Islanda
Pas Euro 2016, pakkush priste që Islanda të përsëriste veten edhe në një Botëror. Nëse ia del të kalojë në 16-she, ai sukses i dy viteve më parë me siguri do të kalonte në plan të dytë. Sigurisht që ata do të shkruanin historinë edhe të turneve të Botërorit, duke u bërë skuadra e parë debutuese që nga Sllovakia e vitit 2010 që kalonte në fazën me eliminim direkt të turneut.

Por trajneri Hallgrimson e di se për të pasur shanse kualifikimi, skuadra e tij duhet të bëjë më mirë se deri tani, pasi vjen në këtë sfidë vendimtare me 8 ndeshje radhazi pa fituar (3 barazime, 5 humbje). Kjo është seria e tyre më e gjatë pa fitore që nga shtatori 2011, kur i dhanë fund një serie prej 11 ndeshjesh dhe filluan rrugëtimin që më pas i bëri shumë të suksesshëm.

Kroacia
Kroacia ka fituar 2 ndeshje në Botëror radhazi për herë të parë që nga vitit 1998, por asnjëherë më parë nuk kanë fituar tre radhazi. Por asaj i kanë mjaftuar këto dy fitore për të siguruar kualifikimin për herë të dytë në histori në fazën me eliminim direkt.

Herën e parë, në Francë 1998, u kualifikuan si të dytët në grup, por arritën të shkonin deri në gjysmëfinalen e turneut.

Trajneri Daliç duhet të jetë i qetë sa i përket shanseve të skuadrës së tij, sidomos nëse mbrojtja vazhdon të paraqitet në këto nivele, pasi ka ruajtur të paprekur rrjetën në 3 nga 4 ndeshjet e fundit që ka zhvilluar në Botërorë, njëlloj sa në 12 ndeshjet e mëparshme që kishte luajtur në këtë aktivitet.

FORMACIONET E MUNDSHME

Protagonistët

Qendërmbrojtësi i Islandës, Ragnar Sigurdson, është në dyshim pas dëmtimit në ndeshjen ndaj Nigerisë ku pësoi një goditje në kokë, ashtu si edhe Johan Berg Gudmundson.

Gjithçka do të kalojë përsëri nga këmbët e Gylfi Sigurdson, i cili tentoi tre herë portën ndaj Nigerisë. Dy gjuajtjet e para ishin në 6 minutat e fillimit të ndeshjes dhe shkuan në katror, ndërsa e treta ishte ajo penallti e humbur në minutën e 83-të.

Te Kroacia mund të ketë një rotacion të gjerë pasi Rakitiç, Rebiç, Vrsaljko, Manxhukiç, Brozoviç dhe Çorluka rrezikojnë pezullimin për kartonë të verdhë dhe asnjëri nuk pritet të zbresë në fushën e lojës.

Mund të mungojë edhe Luka Modriç, i cili ka shënuar deri tani në të dy ndeshjet e Botërorit, në ato që ishin të dy gjuajtjet e tij të vetme në kuadrat.

Kjo do të jetë sfida e 7 mes Islandës dhe Kroacisë, por e para në një turne madhor. Të gjitha të tjerat kanë qenë në kualifikueset europiane. Ata ishin në të njëjtin grup të kualifikuesve të Botërorit ku Islanda fitoi në shtëpi 1-0 dhe Kroacia në fushën e saj 2-0. Ajo fitore ishte e vetmja e Islandës ndaj kroatëve, pasi ka barazuar 1 dhe ka humbur 4 të tjerat.