Zvicra u eliminua nga Kupa e Botës, duke humbur takimin përballë Suedisë me rezultatin e ngushtë 1-0. Deri në 16-shen më të mirë, Zvicra vinte si e dyta e grupit pas Brazilit, ndërkohë që në grup arriti të merrte dy barazime (ndaj Brazilit dhe Kosta Rikës) dhe fitoi 2-1 ndaj Serbisë.
Protagonist në fitoren e vetmen, ishte Granit Xhaka që arriti të barazonte shifrat kur Serbia ishte në avantazh, para se Shaqiri të shënonte dhe golin e dytë. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Instagram”, Xhaka i ka dhënë lamtumirën Botërorit duke bërë disa falënderime dhe një premtim.
“Ishte një udhëtim i pabesueshëm në Kupën e Botës me këtë ekip dhe këta miq dhe është e dhimbshme të thuhet se mori fund. Falënderoj të gjithë ata që më kanë përkrahur përgjatë kësaj rruge dhe që kanë qenë atje pavarësisht uljeve apo ngritjeve. Jam shumë i lumtur që arrita të përfaqësoja vendin tim në një Kupë Bote.
Kemi qenë në një lartësi të pabesueshme dhe kjo dhemb më shumë, por unë mund t’ju premtoj një gjë: Kurrë nuk do të ndaloj së luftuari. Ky është futbolli. Kjo është jeta. Faleminderit për ndarjen e kësaj aventure me mua”, shkruhej në postimin e Granit Xhakës.