Kupa e Botës ka prekur fazën më interesante, tashmë gabimet nuk falen dhe gjithçka mund të vendoset në një fraksion sekondi, nga një lëvizje e vetme, nga një goditje “vdekjeprurëse”. Në këtë pikë talentët bëjnë diferencën, supersfidat mund te zgjidhen nga një veprim i tyre.
Francë –Argjentinë. I ka të gjithë ingredientët për të qenë një takim emocionues. Në një krah ndodhet Antoine Griezmann. 27-vjeçari zotëron cilësi unikale dhe, pavarësisht se deri më tani nuk ka shfaqur potencialin e tij, mund të të ndëshkojë në çdo moment. Në anën tjetër është ai që cilësohet nga shumë të apasionuar si lojtari më i mirë në histori, Lionel Messi. 5 herë fituesi i Topit të Artë mund të mos ketë paraqitur nivelin e treguar te Barça, por se çfarë është i aftë të bëjë kapiteni i “bardhekaltërve” këtë e kanë të qartë të gjithë.
Uruguai-Portugali. Një tjetër duel i zjarrtë. Luis Suarez është në gjendje “të kafshojë” çdo kundërshtar, për fat të mirë jo në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës. Sulmuesi është vendimtar për “të kaltrit”. Cristiano Ronaldo kërkon të udhëheqë luzitanët drejt një tjetër arritjeje madhështore pas triumfit në Europian. 4 gola në 3 ndeshjet e para, madhështia dhe rrënimi i portugezëve varet nga këmbët e kapitenit.
Spanjë-Rusi. Iberikët e nisën me furtunë këtë Botëror pas shkarkimit të Lopeteguit. “La Roja” ia doli të kualifikohej falë egërsisë sulmuese të Diego Costës. 29-vjeçari ka zhvilluar deri më tani një kupë botë në maksimumin e mundshëm dhe në aspektin sportiv është njeriu më i frikshëm i spanjollëve. Rusët funksionojnë si grup, megjithatë e kanë një talent mbi të tjerët, Denis Cheryshev. 27-vjeçari e ka cilësinë për të zgjidhur fatet e një sfide.
Kroaci-Danimarkë. Një ish i Tottenhamit përballë një “ylli” aktual të “Spurs”-ave. Luca Modric kundër Christian Eriksen. Mesfushori i Realit të Madridit nuk është thjesht kapiteni i kroatëve, por edhe njeriu më i rëndësishëm në lojën e skuadrës së Dalic, ndërkohë që në një ekip ku baza është forca e grupit, Eriksen është futbollisti kryesor që mund të mbajë peshën më të madhe të përgjegjësisë.
Brazil-Meksikë. Dy kombëtare me mentalitet latin. “Seleçao” nuk ka vetëm një “superstar”, por gjithsesi njeriu kopertinë mbetet Neymar. Loja e sulmuesit ka ardhur në rritje dhe ndaj meksikanëve do të jetë ai pika e referimit në repartin e avancuar. Në spondën tjetër një futbollist të cilit talenti nuk i ka munguar kurrë. Nuk është më ai lojtar i admiruar si te Manchester United, por, gjithsesi, Chicarito Hernandez mbetet personi më i rrezikshëm i amerikano-qendrorëve.
Belgjikë-Japoni. Nuk është e thjeshtë të evidentosh një element të veçantë në përfaqësuesen belge, pasi ka shumë, madje së fundmi listës iu bashkua edhe Januzaj, megjithatë goli në futboll bën diferencën dhe për Belgjikën ai që ka realizuar më shumë është Romelu Lukaku. Forcë fizike, teknikë dhe saktësi, një supersulmues. Te japonezët nuk ka një lojtar të spikatur mbi të tjerët dhe diferencën e bën përvoja e Nagatomos dhe Kagawas.
Suedi-Zvicër. Një përballje vërtet interesante. Skandinavët kanë një grup fantastik, “një për të gjithë, të gjithë për një” me në krye kapitenin Andreas Granqvist, i cili jo vetëm bën maksimumin për të mbrojtur kuadratin, por është treguar gjakftohtë edhe në realizimin e 11-metërshave. Zvicëranët, u pëlqen apo jo, udhëhiqen nga shqiptarët, me Xhakën e Shaqirin që kanë marrë mbi supe peshën e liderit. Vijimësia e helvetëve në këtë kompeticion varet shumë nga paraqitjet e dy talentëve nga Kosova.
Kolumbi-Angli. Amerikano-jugorët zotërojnë një “superyll” si Rodriguez, por prania e tij është në dyshim për shkak dëmtimi dhe detyrën e udhëheqësit do ta marrë kapiteni Radamel Falcao, ndërkohë që nuk ka dyshime se kush është njeriu i cili kanë kthyer sytë anglezët për t’i dërguar drejt realizimit të ëndrrës, Harry Kane. Në fund, nuk ka rrugë të thjeshtë nëse dëshiron të mbetesh në librat e historisë…