Dy ditë më parë ai mori një udhë pa kthim. U nda si përherë me kolegët dhe miqtë e një jete, sepse i priste shfaqja e radhës.
Por, me sa duket, ajo e pak ditëve më parë do të ishte e fundit. Muhamet Liko, një nga parodistët e famshëm të Vlorës, u nda nga jeta kur ishte ende herët për t’i thënë lamtumirë skenës. Për miqtë dhe njerëzit e afërt, kjo ishte shakaja më e hidhur që Meti kishte bërë në jetë.
Nga ato shakatë që të bëjnë të lotosh, por, për herë të parë, jo nga të qeshurit. Lajmin e ndarjes së tij nga jeta e ka bërë zyrtar teatri “Petro Marko”, i Vlorës, duke bërë të njohur edhe faktin se aktori vuante prej një sëmundjeje në zemër, çka nuk e pengoi për asnjë moment t’i dhuronte të qeshura spektatorit.
“Prej disa vitesh ai kishte probleme me zemrën dhe mbahej nën vëzhgim nga mjekët, pa ndërprerë aktivitetin artistik. Gjatë një kontrolli rutinë në Itali, zemra e tij pushoi, duke hidhëruar familjarët, kolegët, miqtë dhe shoqërinë. Me një karrierë gati 40-vjeçare, ai krijoi profilin e tij artistik me veçoritë aktoriale, veçanërisht në interpretimin e parodisë, ku së bashku me tre kolegët, Afrim Agalliu, Agron Hamo dhe Mane Lumani krijuan grupin e mirënjohur “Parodistët e Vlorës”.
Për këto merita ai ishte vlerësuar me titujt e lartë “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës dhe “Qytetar Nderi i Vlorës” nga Këshilli i Bashkisë Vlorë. Prezenca e tij do u mungojë familjarëve dhe të afërme, por ai la një boshllëk për kolegët dhe spektatorin që aq shumë e vlerësonin”.
Sipas gazetarit Çlirim Hoxha, aktori kishte kryer disa ndërhyrje në zemër, por këtë herë, ndërhyrja e radhës qëlloi fatale.
“Dy ditë më parë ai udhëtoi drejtë Italisë për kontrollin e programuar, i shoqëruar nga gruaja e tij Zhaneta. Do të qëndronte në Itali rreth dy muaj për të bërë ekzaminimet dhe ndërhyrjet e nevojshme. Pikërisht sot (dje) ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje tjetër në zemër, por gjatë ndërhyrjes, pësoi arrest kardiak. Zemra e tij e lodhur nuk e përballoi dot ndërhyrjen e mëtejshme të mjekëve dhe Muhamet Liko heshti përgjithmonë fizikisht, sepse shpirtërisht ai nuk ka vdekur”, thotë ai.FB_IMG_1453891279445
Muhamet Liko lindi në qytetin e Vlorës në vitin 1956. Që në moshë të vogël u dallua për talentin e tij të humorit. Muhamet Liko u dallua veçanërisht gjatë olimpiadave amatore të qendrave të punës së qytetit të Vlorës, ku si pjesëtar i Ndërmarrjes së Përpunim-Drurit do të rrëmbente disa çmime, duke u evidentuar mes të tjerëve.
Ky talent tërhoqi vëmendjen e drejtuesve dhe regjisorëve të Estradës Profesioniste të qytetit të Vlorës, të cilët do ta thërrisnin në gjirin e tyre krahas gjigantëve të tjerë të humorit, si Leka Kruta, Myqerem Ferra, Qirjako Sava, të cilët e inkuadruan Metin në kompleksin simpatik të parodistëve së bashku me tre të mëdhenjtë e tjerë të këtij skuadroni brilant, si Agron Hamo, Afrim Agalliu dhe Mane Lumani.
Edhe pse rolet e tij janë të shumta e të harmonizuara me pjesën tjetër të kuartetit, njëri nga rolet, për të cilin ai do të kujtohet gjithmonë është “Agai dhe qypi me mjaltë”. Muhamet Liko mbante disa urdhra e medalje të akorduara nga Presidenti i Republikës dhe Këshilli i Bashkisë Vlorë.
Ai mban Urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit të I dhe titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës, si dhe është “Qytetar Nderi i Vlorës”, akorduar nga Këshilli i Bashkisë Vlorë.