Mattia Perin është përfolur shumë në Itali, sidomos në vitin 2013, kur ishte pjesë e Pescaras në Serie A. Sezon fantastik në planin individual, me Perin që në atë kohë ishte vetëm 21 vjeç. Krahasime të shumta me legjendën Buffon për talentin, i cili u kthye tek ekipi që zotëronte kartonin e tij, Genoa.

Deri në vitin 2018 pjesë e Genoas, kur vjen edhe kapërcimi i madh. Perin firmos për Juventusin, me këta të fundit që paguan 14 milionë euro. Sidoqoftë, në këto dy vite në Torino, portieri nuk ka gjetur hapësirat e nevojshme, me një Szczesny në formë të jashtëzakonshme.

Rikthim i Buffon këtë sezon në “Allianz Stadium” ka bërë që Perin mos të aktivizohet për asnjë minutë, kështu që 27-vjeçari do të huazohet në janar. Ekipi i tij i ri pritet të jetë Genoa, me gardianin që do të rikthehet në “Luigi Ferraris”. Lajmin e bën të ditur “Gazzetta dello Sport” sipas të cilëve, Perin do të firmosë në ditët e para të janarit.