Përballja e parë e finales së Kupës së Libertadores mes Boca Juniors dhe River Plate në “La Bombonera” nuk do të luhet sonte.
Reshjet e dendura të shiut që ranë gjatë pasdites së të shtunës në Buenos Aires, e bënë të pamundur zhvillimin e kësaj ndeshjeje që ishte historike për kompeticionin më të rëndësishëm, pasi këto dy skuadra përballen për herë të parë në një finale të tillë.
Konfederata Amerikano-latine e Futbollit, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter, konfirmoi shtyrjen e kësaj sfide për në mbrëmjen e së dielës.
Vendimi për pezullimin e kësaj finalje të parë u mor pasi tre arbitrat peruanë të ndeshjes, zbritën në fushën e lojës për të bërë verifikimin e terrenit, nga ku rezultoi se ishte praktikisht e pamundur që kjo finale të zhvillohej normalisht.