Një ekzoskelet që mbledh mendimet e atij që e vesh dhe drejtohet falë një serie elektrodash speciale. Kjo është teknologjia që ka bërë të mundur që një i ri i paralizuar të ecë sërish.
Para se të eksperimentonte me pajisjen, i riu iu nënshtrua rezonancave për të hartuar zonat e trurit të tij që aktivizohen kur ai imagjinon sikur ecën dhe lëviz krahët.
“Unë u ndjeva si njeriu i parë në Hënë”, tha ai.
Pajisja u zhvillua në Grenoble, Francë, ku disa studiues implantuan një mikroçip në kokën e një personi me aftësi të kufizuara për ta bërë atë të kontrollonte armaturën mekanike me mendim. Teknologjia funksionon në mënyrë perfekte prej 27 muajsh: pacienti së pari mësoi të komandonte avatarin e tij dhe vetëm atëherë impulset elektrike të trurit të tij u “grumbulluan” dhe u përdorën për të lëvizur ekzoskeletin.
“Nuk ecja prej vitesh, kisha harruar se isha më i gjatë se shumica e njerëzve përreth meje. Ishte vërtet mbresëlënëse”, tha i riu. Eksperimenti paraqet një sukses të madh, sepse do të thotë që elektrodat që shërbejnë për të mbledhur impulset e trurit të pacientit vazhdojnë të funksionojnë mirë edhe pas një kohe të gjatë.
Në eksperimentet e mëparshme të kryera nga grupe të tjera kërkimore, elektrodat, të implantuara shumë thellë, kishin ndalur punën dhe kishin efekte të dëmshme dhe shkaktonin infeksione. Qëllimi është tani që të përsëritet eksperimenti tek pacientë të tjerë dhe të perfeksionohet ekzoskeleti.