Një shpërthim legjitim nervoziteti pësoi ditët e fundit deputeti i PD-së Çuni i Fahri Balliut, të cilit me dashakeqësi kundërshtarët politikë nuk i thërrasin në emër. Jo vetëm kaq, por gërmën H dhe nyjëzën I përtojnë ta shqiptojnë dhe i bien akoma më shkurt, Çuni Fariut.

Edhe pse fakti që Çuni Fariut ia arriti ditës të ketë kundërshtarë politikë ja ka përkëdhelur disi sedrën, ai nuk e ka kapërdirë dot që vazhdimisht e identifikojnë me të atin.

Kështu, erdhi dita që në një komision parlamentar, (po po, Çuni Fariut merr pjesë në komisione parlamentare), ai të shpërthejë ndaj atyre që insistojnë të mos ia përmendin emrin.

“Mos ma përmendni më babën, unë kam emrin tim, jam Çunni Fari Balliu,” ngriti zërin Çuni Fariut, të cilin në Pogradec e njohin si Fariçka. Dhe shtoi duke i sfiduar të gjithë publikisht:

“Baba ka punët e veta, unë të miat. Im atë, nëse ka zili famën time, po deshi le të quhet babi i Çunit Fariut!”

Siç mësojnë burime të Gojëve të Liga, Çuni Fariut po konsideron seriozisht që ta ndërrojë edhe emrin në gjendjen civile, duke mos e duruar dot ombrellën atërore që e ka penguar deri tani të bëjë një karrierë të vetën, të pavarur.

Një nga opsionet më të pëlqyera është Fari Junior, çka e distancon totalisht nga i ati dhe e bën një njësi individuale qartësisht të dallueshme.

Fakti është që çfarëdo rruge të zgjedhë larg punëve të të atit, Çuni Fariut e ka suksesin të garantuar.

Konkretisht, shumë shtëpi botuese në Amerikë dhe Europë kanë kërkuar bashkëpunimin e tij, që pas zbulimit epokal se librat para se të botohen, në fillim duhen shkruar.

Kushti i vogël që përpara çdo bashkëpunimi, Çuni Fariut duhet të kryejë studime të thelluara në shkrim e këndim, është një pengesë fare e vogël, pohojnë burimet.

“Po të dua unë, jo shkrim e këndim, por edhe aritmetikës i futem,” mësohet se ka deklaruar Çuni Fari Balliut.

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike e gazetës DITa, e prirur ndaj perfeksionimit të alfabetit.j.j