Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka zhvilluar një takim me homologen greke, Styliani Mendoni. Gjatë këtij takimi të zhvilluar në Forumin e Ministrave të Kulturës, në UNESCO mbajtur në Paris, dy ministret kanë diskutuar mbi një sërë çështjesh të përbashkëta dhe mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe të artit mes dy vendeve tona.

“Si dy vende fqinje dhe me përvoja të ngjashme, kemi shumë për të mësuar nga njëri-tjetri. Sot pata mundësinë të takohem me Ministren greke të Kulturës dhe Sportit, znj. Styliani Mendoni, me të cilën diskutuam mbi bashkëpunimet e ardhshme në fushën e arkeologjisë, muzeologjisë, konkretizimin përmes një kalendari të përbashkët workshop-esh gjatë 2020, për mbështetjen e të rinjve, për zhvillimin e industrisë kreative, për ngritjen e kapaciteteve dhe specializimin në rivlerësimin e veprave të artit etj,” shprehet ministrja Margariti.

Takimi u mbyll me dëshirën e konkretizimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Ministrat e Kulturës nga e gjithë bota u mblodhën dje në UNESCO, në një konferencë të përbashkët, për të ndarë eksperiencat e tyre, në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm, përmes kulturës dhe politikave publike.