Ka qenë një rrugëtim mbreslënës dhe emocional për këto tre gjimnaziste nga Tirana të cilat u shpallën fituese të konkursit të organizatës Technovation në San Francisco të Kalifornisë.
Ato u prezantuan me aplikacionin e tyre që u vjen në ndihmë grave dhe vajzave të dhunuara.
Në një intervistë për VOA ato tregojnë disa nga detajet se si mundën të shkojnë drejt këtij projekti.
“Ne jetojmë në një shoqëri patriarkale të sapo dalë nga komunizmi dhe sigurisht ka një dominancë të gjinisë mashkullore dhe një mentalitet shumë të prapambetur që gratë nuk mund të jenë të pavarura, nuk mund të shkollohen, nuk mund të çojnë përpara në jetë, të kenë financat e tyre. E gjithë kjo reflektoi në rininë e sotme edhe pse ka shumë ndryshime ne shohim shenja të hershme të kësaj dhune që reflektohen në marrëdhëniet e miqve tanë sot”, shprehet një nga gjimnazistet.
Çdo vit, ekipe vajzash nga e gjithë bota marrin pjesë në këtë garë. Vajzat nga Tirana paraqitën një aplikacion që u vjen në ndihmë grave dhe vajzave të dhunuara në shoqërinë shqiptare.