Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.
Kështu u shpreh sot ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj gjatë një interviste televizive, duke theksuar se vendi ynë ka shënuar progres edhe në detyrat të cilat u caktuan nga Brukseli vitin e shkuar.
“Aktualisht në Bruksel kemi kompletuar ekzaminimin analitik të legjislacionit të Bashkimit Europian. Komisioni Europian ka marrë detyrën nga Këshilli që të monitorojë disa fusha të caktuara, dhe të shqyrtojë përmbushjen e disa prej kushteve shtesë të negociatave këtë vit. Raporti i progresit konstaton se Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për hapjen e negociatave dhe kjo nuk është një përsëritje e asaj që kemi marrë vitin e kaluar. Është konstatuar progres shtesë në përmbushjen e kushteve që janë kërkuar vitin e kaluar. Sipas Komisionit, Shqipëria ka përmbushur të gjitha pikat e nevojshme teknike për të filluar procesin e negociatave”, – u shpreh ai.
Sipas Cakajt procesi i hapjes së negociatave ka 2 dimensione: atë teknik dhe politik, duke shtuar se vlerësimi i marrë nga Komisioni Europian duhet të shndërrohet në një vullnet politik për Këshillin e Europës.
“Ky është një proces me 2 dimensione, është një proces me dimension teknik, që monitorohet nga Komisioni Europian, dhe dimensioni politik, që është gatishmëria e vendeve për të proceduar për hapjen e negociatave, ose vendimet e tjera që kanë të bëjnë me negociatat. Vlerësimi pozitiv që kemi marrë nga Komisioni ta shndërrojmë në një vullnet politik te Këshilli. Duhet të mobilizohemi për të bindur disa nga vendet anëtare që kanë rezerva të caktuara për hapjen e negociatave”, – theksoi Cakaj.
Sipas Cakajt, BE-ja po përjeton një transformim rrënjësor brenda vetes, që nga momenti i Brexit, reforma për eurozonën dhe deri te çështjet që kanë të bëjnë me emigracionin dhe ekziston mendimi në disa prej vendeve lidere në BE se ky proces reformash duhet të kompletohet përpara se BE të fillojë procesin e negociatave me vendet e Ballkanit Perëndimor. Por kjo sipas Cakjt nuk do të thotë se BE është i deprimuar nga angazhimet në Ballkanin Perëndimor, por se është i rezervuar që të procedojë me zgjerimin në Ballkanin perëndimor.