Ka të paktën 3 vjet që Sali Berisha sajon e risjell si sajesë përmes faqes së tij në FB dhe portaleve të PD ekzistencën e një rruge me emrin “Edi Rama” në periferi të Tiranës. Ajo që vihet re është se kjo ndodh sa herë që PD gjendet në vështirësi e në dëshpërim politik.

Por historia e shpifjes së Berishës daton që prej vitit 2015, kur ish kryetari i PD e sajoi për herë të parë.

Në gusht të 2015, Bashkia e Tiranës reagoi zyrtarisht për sajesën e Berishës, e cila theksonte: “Duke u nisur nga një informacion që po qarkullon së fundmi në rrjetet sociale dhe i botuar në disa faqe online, Bashkia e Tiranës kërkon të sqarojë opinionin publik se në territorin e saj nuk ekziston asnjë rrugë, e cila të mbajë emrin “Edi Rama”. Bashkia e Tiranës bën me dije se në asnjë mbledhje të Këshillit Bashkiak të Tiranës apo të këshillave të ish komunave, të cilat tashmë janë pjesë e bashkisë së Tiranës, nuk ka shqyrtuar e as ka patur në plan ndonjëherë për të shqyrtuar një vendim të tillë”.

Me sa duket, ky reagim zyrtar i Bashkisë së Tiranës që në gusht 2015 nuk e ka ndalur Berishën të sajojë sërish të njëjtën shpifje në vitin 2016, 2017 dhe së fundmi, një ditë më parë.

Është lehtësisht e kuptueshme se ky rast është sajuar me një ndërhyrje në hartën e Google, e cila bëhet lehtësisht duke vendosur emra apo togfjalësha si sugjerime. Pra, zyrtarisht në Google rruga me emrin “Edi Rama” nuk ekziston.

Sipas ligjit, emrat e rrugëve të qytetit vendosen ose ndryshojnë vetëm me vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Duke qenë se një vendim i tillë nuk ekziston, atëherë rrjedhimisht as rruga me këtë emër nuk ekziston.

Ama, i vetmi politikan që ka një emërtim rruge që ekziston me të vërtetë dhe zyrtarisht është vetë Sali Berisha. Prej disa kohësh, në Kamëz ekziston një rrugë e cila mban emrin e Berishës, e vendosur nga Xhelal Mziu dhe Këshilli Bashkiak i Kamzës. Për çdo rast, hidhini një sy tabelës zyrtare, ku rruga “Sali Berisha” kryqëzohet me rrugën “New York”.