Miti na thotë se në Tebë, ekzistonte një Sfinks i cili u kërkonte banorëve të këtij qyteti të zgjidhnin një enigmë që ia jepte dhe kush nuk e zgjidhte vritej nga ai. Qyteti i Tebës filloi të tmerrohet nga Sfinksi pasi kushdo që shkonte para tij, kishte një fat tragjik, vdekjen. Për këtë arsye tebanët, për këdo që do të zgjidhte enigmën e Sfinksit, ofruan qeverisjen e qytetit të tyre si shpërblim. Kështu Edipi, një njeri i çalë, shkoi para Sfinksit, një krijesë me trup luani, me flatra dhe me kokë njeriu, ku ky i fundit i bën një pyetje: “Cila është ajo krijesë që në mëngjes ka 4 këmbë, më drekë 2 këmbë dhe në darkë 3 këmbë?”. Kësaj pyetje Edipi iu përgjigj “njeriu, i cili ecën më 4 këmbë kur është foshnje, me dy kur rritet dhe me një shkop kur plaket”. Kështu ai bëhet mbret i Tebës pasi zgjidh enigmën e Sfinksit, të cilin Edipi e hedh mbi një gomar tashmë të vdekur.
Miti duket njëkohësisht i thjeshtë dhe i komplikuar në vetvete, duke na u shfaqur si një rrëfenjë gati e pazbërthyeshme dhe e pakuptueshme në pamje të parë. Pikërisht për këtë pakuptueshmëri si dhe një tëhuajzim që kemi krijuar tashmë me mitin dhe mesazhet e tyre të kodifikuara shkencëtari dhe filozofi i mirënjohur anglez i shekullit 16-17, Francis Bacon na fton që t’i rikthejmë sërish sytë dhe mendjet nga dija e lashtë që mbajnë mitet për shumë çështje ekzistenciale të qenies njerëzore. Këtë ftesë ai e konkretizon përmes “Dijet e të lashtëve”, një vepër tashmë e sjellë në shqip nga Botime Akropoli i Ri, ku Bacon analizon mitet nga ana shkencore e filozofike, libër në të cilin shpjegohet edhe miti i sipërpërmendur i Edipit, përpos 30 miteve të tjera të lashtësisë greke.
Bacon në shpjegimin e tij na thotë se miti i Edipit është një rrëfenjë simbolike e mbushur me dije të kondensuar, e cila përpiqet që përmes alegorisë të na mësojë diçka shumë të rëndësishme për qenien njerëzore. Bacon shpjegon se Sfinksi përfaqëson shkencën, pasi shkenca gjithmonë shtron pyetje dhe ngre problematika për qenien njerëzore. Po ashtu Sfinksi ose shkenca ka fytyrë femërore, por gjithashtu edhe me trajtë njerëzore, ndryshe nga trupi që është kafshëror, çka përfaqëson botën materiale ku ajo zhvillohet. Po ashtu, Bacon na shpjegon se Sfinksi i vret të gjithë ata që nuk i përgjigjen saktë pyetjeve e problemeve shkencore, pasi mendja e tyre është e paaftë të gjejë një zgjidhje. Edipi e zgjidh enigmën përmes mendjes njerëzore ose arsyes, na thotë Bacon, duke e mundur Sfinksit dhe duke qeverisur Tebën, çka simbolizon qytetërimin njerëzor. Bacon sqaron se Edipi e hedh mbi gomar Sfinksin e vdekur, pasi tashmë arsyeja përmes shkencës kishte arritur të përftonte një zgjidhje të cilën e vendos mbi gomar, ose të rëndomtën, të thjeshtuarën e shkencës për të gjithë njerëzit e zakonshëm që nuk e kuptojnë atë.
Bacon nuk i referohet konceptit të sotëm të shkencës, por një metode të mendjes dhe arsyes njerëzore për të arritur te e vërtetë dhe për të, kjo shkencë është si kundrejt botës materiale ashtu edhe kundrejt botës së brendshme metafizike të njeriut. Kështu, përmes shpjegimit të Bacon, kuptojmë se ky mit mbart në vetvete një dije të rëndësishme dhe qenësore për njeriun në raport me të vërtetën dhe dijen, pasi është shkenca ose mënyra apo metoda, ajo që përmes mendjes njerëzore si mjet, mund t’i japë zgjidhje çdo problemi që kemi qoftë ky i jashtëm, i brendshëm, vetjak apo universal. Për rrjedhojë bota, si në aspektin e shfaqjes materiale, ashtu edhe në atë të shfaqjes mendore e metafizike na vë përballë me probleme dhe dilema, pra me pyetjet e Sfinksit, dhe mënyra më e mirë për t’i zgjidhur e tejkaluar këto enigma është mendja jonë si një funksion i vetë qenies tonë.
Andi Kurti, Përkthyes i librit, Botime Akropoli i Ri