Universiteti Politeknik i Bukureshtit do të nisë testimin e një sistemi të ri, i cili mund të jetë në gjendje të identifikojë tërmetin të paktën 4 orë përpara se të ndodhë.

Ky sistem do të ishte në gjendje të identifikonte magnitudën, intensitetin dhe epiqendrën e tij me përafërsi. Sistemi do të fillojë të testohet në rajonin e Vrancea në Rumani, që është edhe një prej zonave më sizmike në Europë.

Sistemet më të avancuara në botë të “parashikimit” të tërmeteve, aktualisht të përdorura nga Japonia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në gjendje të lëshojnë alarmin jo më herët se 2-3 minuta përpara se të godasë tërmeti.

Sistemi që do të testohet në Rumani është zhvilluar nga një kompani izraelite, Ionoterra, dhe është ende në fazë konceptimi. Testimet e tij të para janë kryer në Greqi dhe Turqi duke regjistruar një normë të larët suksesi, në 90%, për tërmetet mbi 4.5 ballë të shkallës rihter.

Kjo do të thotë se, ndër 75 alarme për tërmet të dhëna nga sistemi, 68 prej tyre u konfirmuan nga Qendra Europiane Mesdhetare e Sizmologjisë. Testimi në Rumani do të nisë në gjysmën e parë të vitit që vjen. Ekspertët e Universitetit Politeknik të Bukureshtit shprehen se sistemi në fjalë mund të zbulojë tërmetin deri në 8 orë përpara dhe deri në 4 orë përpara me përpikmëri të lartë.