Fitorja e Suedisë 1-0 kundër Turqisë në Ligën e Kombeve ka prodhur shumë polemika pas përfundimit të saj. Sulmuesi suedez, Marcus Berg, u shpreh pas ndeshjes se gjatë pushimit foli me arbitrin rumun Istvan Kovacs, për një penallti të padhënë. Arbitri i premtoi se nëse kishte vepruar gabim, do ta shpërblente me 2 penallti në pjesën e dytë.
Për ironi të fatit, ndeshja u vendos nga një penallti në favor të Suedisë në minutën e 71-të dhe ishte pikërisht Berg ai që e fitoi. Si zakonisht Granqvist mori përsipër penalltinë dhe e ktheu në gol. “Në pushimin e ndeshjes shkova tek arbitri të protestoja, sepse mendoja se duhej të më ishte dhënë një penallti në favor. Ia bëra të qartë mendimin tim dhe më premtoi: Do shoh pamjet filmike dhe nëse vërtet kam gabuar, do të të jap dy penallti në pjesën e dytë’”, u shpreh Berg për mediat suedeze.
Federata e Futbollit të Turqisë do të kërkojë në UEFA përsëritjen e ndeshjes pas deklaratave të futbollisti suedez. Pas kësaj disfate ekipi që drejtohet nga Luçesku zbriti automatikisht në Ligën C.