Thuajse çdo ditë, media të rëndësishme botërore po publikojnë skandalet rreth mënyrës se si menaxhohet futbolli nga organizatat e rëndësishme ndërkombëtare si UEFA dhe FIFA. Italiania “L’Epresso” ka publikuar sot të dhënat që ka siguruar nga Football Leaks dhe të cilat tregojnë skandalin radhës që përfshin dy skuadrat milaneze e mënyrën se si UEFA ka trajtuar me hatër zikaltërit.

Milani u sanksionua gjatë verës për borxhet që kishte dhe për faktin se nuk përmbushte kërkesat e Fair Play Financiar. Në një moment, UEFA e dënoi atë të mos merrte pjesë në Ligën e Europës, vendim që u kthye më vonë nga KAS i Lozanës pasi u cilësua i tepruar. Por sipas dokumenteve të publikuar sot, Interi duhej ta pësonte më keq, pasi kishte borxhe më shumë se “kushërinjtë”.

Milani u dënua për detyrime nga viti 2014, deri në vitin 2017, për një shumë prej 120,9 milionë eurosh. Por Interi, nga viti 2012, deri në vitin 2014, kishte një deficit prej 165 milionë eurosh, ndërsa nuk u përball me sanksione të njëjta, pasi arriti një akord me UEFA-n për të evituar një përjashtim.