Prokuroria pritet të marrë sot në pyetje kryetarin e PD, Lulzim Basha dhe deputetin e PD-së, Ervin Salianji.

Lulzim Basha është thirrur për të dëshmuar në prokurori si person në hetim në procedimin penal për shpërdorim detyre, shpifje dhe fyerje në kallëzimin e bërë nga Taulant Balla për rastin e ish-oficerit Emiljano Nuhu.

Mesohet se Basha do të pyetet për qëndrimet e tij për rastin Xhisiela

Kreu i PD është paditur edhe nga kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla për shpifje

Ndërkohë Salianji do të merret në pyetje si person nën hetim për rastin “Babale”, ku po hetohet për “kallëzim të rremë”.

Marrja në pyetje e Salianjit vjen në një moment kur është publikuar edhe një video-përgjim i Fredi Alizotit, i cili dyshohet se ka luajtur rolin e Agron Xhafës në audio-përgjimin e parë.

Në këtë video të publikuar nga PD, pas marrjes në pyetje të Alizotit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ai thotë se i është kërkuar nga deputeti i PS-së Taulant Balla, që të dëshmojë sikur ka qenë imituesi i Agron Xhafajt në audio-përgjim. Gjithashtu, Alizoti thotë në video se e ka marrë nga Fieri për në Tiranë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu.

Pikërisht, Salianji do të pyetet edhe për këtë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, por gjithashtu edhe për audiopërgjimin origjinal, për të cilën Jetmir Olldashi, gazetari që e ka ndihmuar Albert Veliun ta kryejë përgjimin, ka thënë se origjinalin ia k a dorëzuar Salianjit.