Dy ndeshjet e fundit të kampionatit, me Luftëtarin në transfertë dhe Vllazninë në Korçë, kanë vetëm vlera statistikore për Skënderbeun.

Për këtë arsye, në ndeshjen me Teutën u aktivizuan lojtarët e stolit, duke përjashtuar Osmanin dhe Ditën.

Edhe në Gjirokastër do të jenë po ata lojtarë, me ndryshimin e vetëm që në fushë nga minuta e parë do të jetë edhe sulmuesi kryesor Ali Soue, i cili kërkon trofeun personal të golashënuesit më të mirë. Në stol pritet të ulet Krasniqi.

Për ndeshjen e fundit me Vllazninë, trajneri Ilir Daja ka në plan të aktivizojë më shumë titullarë, të paktën 3-4 prej tyre, sepse ekipi duhet të jetë në gjendjen optimale para finales së Kupës së Shqipërisë me Laçin, që zhvillohet më 27 maj.

Trajneri i Skënderbeu ka preferuar të zhvillojë një minifazë me lojtarët titullarë dhe këto ditë do të jenë të ngarkuara në stërvitje për ta. Ritmi do të ulet javën e ardhshme.