Violinisti Shkëlzen Doli së bashku me anëtarët e Filharmonisë së Vjenës, do të organizojnë një concert bamirësie për të prekurit nga tërmeti. Koncerti I bamirësisë do të mbahet më 30 dhjetor në Ehrbar Saal në Vjenë. Biletat fillojnë nga një minimum prej 30 e 50 euro për person.

Të gjitha këto donacione do të shkojnë në ndihmë të familjeve të prekura nga tërmeti në portalin e-albania. Të trembëdhjetë anëtarët e Filharmonisë së Vjenës, menjëherë pas ftesës së violinistit Doli u treguan menjëherë të gatshëm për t’i mbështetur njerëzit e prekur nga tërmeti në Shqipëri.

Ata janë angazhuar që ky koncert të jetë po aq dinjitoz sa një minikoncert i para tradicionalit të Vitit të Ri, duke përfshirë në të Valse dhe Polka nga dinastia Strauss. Kjo është një thirrje shqiptaro-vjeneze, që nëpërmjet artit fton të gjithë publikun që ka mundësi të jetë në sallë pak para ndërrimit të viteve, për t’u solidarizuar sëbashku dhe për të shijuar tingujt magjikë e virtuozë nga anëtarët e një ndër orkestrave më të mira në botë, në kryeqytetin Evropian të muzikës klasike.