Sot në Shqipëri mbahen zgjedhjet vendore për të votuar 61 kryetarët e rinj të bashkive. Në këto 30 vite këto janë zgjedhjet e para ku opozita më e madhe në vend nuk merr pjesë. PD dhe LSI e kanë bojkotuar këtë garë elektorale.

Një ditë jo e zakontë zgjedhjesh, pasi vjen pas një sërë përplasjesh institucionale mes qeverisë, opozitës dhe Presidentit. Në këtë situatë, që u shoqërua me dhunë në disa bashki të drejtuara nga PD, u përfshinë edhe ndërkombëtarët që njëzëri dënuan dhunën, mbajtën qëndrime të forta duke mbështetur zgjedhjet që zhvillohen sot, duke rrëzuar kështu dekretet e Presidentit Meta, të parin për anulimin e tyre, dhe të dytin për caktimin e 13 tetorit si datë për vendoret.

Report Tv do të jetë sot në një transmetim maratonë, nga hapja e qendrave të votimit, dhe deri në përmbyllje të të gjithë procesit. Gazetarët do të raportojnë nga terreni në të gjitha qytetet e Shqipërisë, informacionet e drejtpërdrejta për të përcjellë atë se çfarë ndodh.