Gjykata e Vlorës ka dënuar me 1 vit heqje lirie Mihal Kokëdhimën, pronar i lokalit të ndërtuar pa leje në Porto Palermo të Himarës. Ai akuzohet për ‘kanosje’, “dëmtime të tjera me dashje’ dhe ‘shkatërrim prone’.

Gjithçka ndodhi gjatë sezonit turistik të këtij viti, kur në restorantin e Kokëdhimës, i cili u shemb pas skandalit, shkuan disa turistë spanjollë me guidë shqiptare. Konflikti nisi për një ngatërresë në numrin e peshqve të porositur nga familja spanjolle e biznesmenit të njohur spanjoll Eugenio Galdon,themelues i kompanisë ‘ONO’.

Eugenio Galdón së bashku me familjen e tij kishte zgjedhur Shqipërinë e bukurive të jashtëzakonshme natyrore, për të pushuar, por u përballë me një situatë aspak të zakontë, gati-gati si një skenar filmash “hollivudian” që askujt nuk i kishte shkuar ndërmend.