Talenti i ri i Real Madrid quhet Takefusa Kubo dhe në këtë moment, në Spanjë, flasin të gjithë për të. “Es un crack”, thonë, dhe përkthimi është diçka e ngjashme me i jashtëzakonshëm.

Në verën e revolucionit, me më shumë se 300 milionë euro të shpenzuar për t’u rimëkëmbur pas një sezoni zhgënjyes, është një 18-vjeçar që ka kushtuar vetëm 2 milionë euro ai që ka marrë faqet e para të gazetave.

Kush është? Nga vjen? Për t’i përgjigjur këtyre pyetjeve të thjeshta është e domosdoshme të bëhet një hap mbrapa: Real e bleu Kubo-n nga F.C. Tokyo, por gjendej atje rastësisht, duke parë se nga 2011-ta deri në 2015-ën ka qenë në Spanjë, tek ekipet e moshave të Barcelona-s.

Bllokimi i merkatos së katalanasve e ka kthyer talentin e futbollit japonez në atdhe, ku është bërë lojtari më i ri që ka debutuar në J-League në moshën 15 vjeç. E kaluara te Barça, gjatësia (173 centimetra), shkathtësia dhe vizioni i lojës kanë shtyrë shumë njerëz që ta përkufizojnë si Messi japonez. Një përkufizim i guximshëm, por minutat e luajtura gjatë kësaj vere me madrilenët kanë treguar se e ardhmja është në krahun e tij.

Kubo ka shkuar në Madrid për të kaluar menjëherë tek ekipi i dytë i Real-it, por Zidane është dashuruar me të. Pjesët më të mira të kësaj faze përgatitore kanë qenë një asist i mrekullueshëm për Vinicius kundër Bayern-it në debutim dhe një gjuajtje e mrekullueshme e ndalur nga Lloris kundër Tottenham.

Nuk është vetëm një çështje momentesh, sepse skuadra fiton shpejtësi sa herë që Kubo futet në fushë dhe deri tani e ka bërë në 4 nga 5 miqësore, duke përfshirë edhe të fundit kundër Fenerbahce-s. Minutat që Zidane i ka dhënë japonezit kanë “ndezur” telefonat e klubeve spanjolle dhe, sipas “Marca”, madrilenët kanë marrë pesë oferta që tani.

Megjithatë, nëse Federico Valverde do të marrë pasaportën komunitare, ka shumë mundësi që Zidane të vendosë ta marrë në ekipin e parë. Me sa duket Kubo është gati që tani për Real-in.