Protesta e fundit e “Opozitës së Bashkuar” në Tiranë, përveç të tjerash tregoi se ajo çfarë po ndodh në to, nuk është gjë tjetër veçse një pasqyrë fantastike për të parë humorin politik të lidershipit të “Opozitës së Bashkuar”.

Nëse opozita jonë jashtparlamentare e ka situatën keq me të vetët, për ti motivuar ata e për ti treguar sesa seriozisht e kanë aksionin për rrëzimin atë ditë të Kryeministrit Rama, dijeni se në atë protestë do të ketë dhunë.

Nëse numri i protestuesve vjen duke rënë frikshëm në raport me atë të protestestave të para, atëherë ato nuk organizohen më në drekë, por shtyhen për tu bërë në darkë, që “të mos i numërojnë.”

Nëse kjo pjesëmarrje edhe kështu, vazhdon të bjerë, atëherë për të kompensuar mungesën e sasisë së njerëzve, bashkë me dëshpërimin shtohet edhe cilësia e dhunës kundër forcave të ruajtjes së rendit dhe institucioneve kushtetutese të vendit.

Nëse “revolucioni popullor” nuk ia arrin qëllimit për ta rrëzuar Edi Ramën sa herë që militantët thirren për të protestuar në kryeqytet, atëherë shpiket “mosbindja civile” me grupe më të vogla militantësh në disa rrugë e kryqëzime të Shqipërisë.

Nëse edhe “revolucioni popullor” dështon edhe “mosbindja civile” harrohet shpejt, atëherë fillojnë kërcënimet nëpër media e rrjetet sociale me “fshirje”, “zhdukje nga faqja e dheut” me “derdhje gjaku” e me lloj lloj “ububu”-jash të tjera.

Ky koleksion i hatashëm gjuhësor i dhunës verbale që shoqëron aksionin politik opozitar dhe menuja e jashtëzakonshme me produktet e saj që nisin nga kapsollat e flakadanët, për të përfunduar tek boja nëpër mure, shkatërrimet e pronës publike dhe bombat “Molotov”, e rritën në maksimum presionin ndërkombëtar. Ata e vunë gishtin me emër e mbiemër mbi Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin, si përgjegjës të kësaj situate.

Kancelaritë perendimore dhe çdo përfaqësues i tyre që është prononcuar rreth zhvillimeve politike të këtyre muajve të fundit në Shqipëri, njëzëri janë shprehur: Dënojmë dhunën dhe i bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës që të distancohen qartë e prerë prej saj dhe të bashkëpunojnë me organet e rendit dhe të drejtësisë, për të vendosur përpara përgjegjësisë autorët.

Në këto kushte, në këtë kontekst e me këtë atmosferë u zhvillua protesta e së shtunës, më 25 maj. Ajo ishte protesta e “6 kombëtare” e organizuar nga “Opozita e Bashkuar”, që pas djegies së mandateve të saj parlamentare. Si gjithë të tjerat, ajo kishte vetëm një synim: Të rrëzonte qeverinë e Kryeministrit Edi Rama dhe për të ardhur ajo vetë më pas në pushtet!

Në ndryshim nga herët e tjera, në protestën e fundit, nuk u përdorën në masë mjete piroteknike dhe të të rrezikshme për jetën e njeriut. Çka e bëri këtë protestë të përcaktohej si e qetë, jo e dhunshme dhe paqësore.

Si rrallëherë, protestuesit mbanin në duar veç flamujve të partive dhe ato kuqezi, edhe flamujtë e SHBA, BE, Gjermanisë, etj. si për të dëshmuar nëpërmjet gjuhës së kodeve dhe simbolikave, se e kishin mare mesazhin e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe po e zbatonin atë. Duke ngritur në ajër balona dhe mbushur bulevardin me dritat e celularëve të tyre, u krijua një atmosferë e ngjashme me një koncert rock-u,- siç thanë ca turistë të huaj,- sesa e një proteste politike.

Çka tregon se:

E para, këto protestat nuk janë aspak popullore, siç vazhdohet të pretendohet ende më kot nga ndonjë zë opozitar. Ato janë thellësisht e tërësisht partiake, nga “A”-ja tek “ZH”-ja.

E dyta, duke qenë të tilla që nga data e caktuar, vendi, ora, organizimi dhe deri tek koreografia në përfundim të saj, çdo gjë që ndodh në këto protesta, është thjeshtë dhe vetëm pjesë e skenarit të organizatorëve: PD, LSI dhe aleatët e tyre.

E fundit, në këto kushte duket se lidershipi i opozitës paska gjithçka në dorë. Ndaj janë vetëm ata që mund të bëjnë edhe “diellin edhe shiun” sa herë duan e kur të duan ata, në këto protesta. Sepse edhe paqja, edhe lufta, edhe qetësia, edhe dhuna, edhe molotovët edhe lulet kanë qenë, janë e mbeten vetëm në dorë të tyre për tu demonstruar ose jo.

Ndaj, tani e tutje, edhe për ndonjë që ka qenë ende dyshues apo skeptik në lidhje me këtë fakt, pas protestës së fundit nuk ka më asnjë dyshim. Lidershipi i opozitës jashtparlamentare ka vetëm një kauzë: Me dhunë apo me paqe, ajo kërkon që ti imponojë mazhorancës kauzën e vet të përcaktuar nga Berisha: Ose Edi Rama do të iki, ose opozita do të shkrihet!

Edi Rama as që e ka patur dhe as e ka ndërmend që të ikë pa zgjedhje dhe pa verdiktin e votave të qytetarëve. Opozita jonë nuk e detyron dot dhe nuk ka asnjë shans që të imponohet për të kundërtën, me këtë rrugë pa rrugë që po ndjek jashtë sistemit. Ndaj pas kësaj, pyetja e vetme që mbetet për tu bërë është: A do të shkrihet opozita pas 30 Qershorit? Larg qoftë!