Shumë simpati për Kariusin, por e ardhmja e tij te Liverpooli në pyetje.Portieri i Liverpoolit, Loris Karius ka marrë shumë përkrahje dhe simpati pas gabimeve të tmerrshme që bëri në humbjen e skuadrës së tij në finale të Ligës së Kampionëve ndaj Real Madridit.

Por e ardhmja e tij si portier i parë i Liverpoolit sigurisht se është në dyshim tash. Pamja e gjermanit 24-vjeçar të shtrirë përtokë me fytyrë në bar, derisa Reali po festonte, flet vetë.

Me lotët duke i rrjedhur, pasi që mori pak ngushëllim, ai iu bashkua bashkëlojtarëve para tifozëve të Liverpoolit dhe mbajti duart duke kërkuar falje, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.

Karius i dha Realit epërsinë në minutën e 51-të kur në mënyrë të pashpjegueshme hodhi topin me dorë drejt te sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema, që zgjati këmbën dhe e shtyu topin në portë të zbrazët.

Më pas, te rezultati 2:1 për Realin, Karius la të kalonte nëpërmjet duarve të tij një gjuajtje nga distanca e rezervistit Gareth Bale, për të siguruar kështu fitoren e skuadrës spanjolle.

Nuk ka pasur dilemë nëse faji ishte i portierit në ata dy gola, por kishte shumë ndjeshmëri për të riun të cilit i ndodhën momentet më të këqija në lojën më të madhe të tij.