Nga Egzon Bajraktari*

Tema e teatrit u riaktualizua. Sërish ka dy palë. Njëra vajton, ulërinë për kataklizmën që përbën rrënimi i një ndërtese të vjetër dhe murtajën që sjell ndërtimi i një ndërtese të re, në vend të asaj të vjetrës. Pala tjetër argumenton se ndërtesa e re është e nevojshme, do zbukurojë vendin dhe do lumturojë shfrytëzuesit e saj. Kësaj radhe fjala është për ndërtesën e teatrit kombëtar në Tiranë. Por ngjashëm ishte edhe në rastin e stadiumit kombëtar, sheshit, etj., etj.

Cila është e vërteta këtu? Ta ruajmë ndërtesën e vjetër apo ta rrënojmë atë për ta bërë ndërtesën e re? Si ta bëjë dallimin qytetari i shkretë?

Kundërshtimi kryesor i palës kundër rrënimit të ndërtesës së vjetër përqëndrohet në argumentin se ndërtesa e vjetër e teatrit qenka një trashëgimi kulturore dhe si e tillë duhet ruajtur. Shpjegimin se çfarë është trashëgimia kulturore nuk e kanë shumë të qartë, por në mënyrën si e thonë dhe si e shfaqin, thua se kjo ndërtesa është një e shenjtë që do na zë mallkimi po e rrënuam.

Fare nuk pi ujë. Ja pse.

Trashëgimia kulturore e një vendi përcaktohet në bazë të një vlerësimi të gjithëmbarshëm, të menduar dhe peshuar mirë. Nuk bëhet në bazë të hamendësimeve teorike të një gjysmë-arkitekti të vonuar dhe as në bazë të nostalgjisë së një artisti të motivuar politikisht. Do duhej të kishte një komision në nivel vendi, i cili fillimisht do duhej të listonte të gjitha ndërtesat e vendit me potencial trashëgimor dhe t’i radhiste ato për nga vlerat e tyre e që mund të jenë historike, arkitektonike, urbanistike, apo të vjetërsisë.

Në fund përzgjedhen objektet më me vlerë duke peshuar çdo gjë, madje duke përfshirë edhe anën ekonomike të ruajtjes së atyre vlerave. Nëse bëhet një vlerësim i duhur i ndërtesës në fjalë të teatrit vështirë se argumenti i trashëgimisë do qëndrojë. Jo çdo ndërtesë e vjetër është trashëgimi kulturore. Dhe jo të gjitha shkarravinat italiane të periudhës së urbanizimit të hershëm të Tiranës meritojnë të mbrohen si trashëgimi kulturore.

Padyshim se masterplani fillestar i Tiranës dhe elementet kryesore që e përfaqësojnë atë plan duhet të ruhen. Por nuk ka shumë ndërtime nga ajo kohë me të cilat ne vërtetë mund të mburremi. I tillë ishte edhe stadiumi për të cilën u ulërit njësoj. Dhe e tillë është edhe kjo ndërtesa e gjorë që po e quajnë teatër.

Në të vërtetë deri vonë, ne nuk kishim shumë arsye për t’u mburrur me Shqipërinë, përpos natyrës (dhe historisë për ata pak patriotë që kanë mbetur). Ndërtesat e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë nuk tregonin gjë tjetër përpos varfërisë e mjerimit. Ndërkaq e tërë Evropa na njihte dhe vazhdon edhe më tutje të na trajtojë si një vend i cuditshëm.

Një vend i uritur e i prapambetur ku çdo kontakt me civilizimin përfundon në kriminalitet. Prandaj përkushtimin e Edi Ramës që të sjell në Shqipëri dhe Tiranë vepra të arkitekturës botërore nuk mund ta shohim nga prizmi i verbër i opozitës, aq më tepër kur ajo thuajse është diskredituar tërësisht nga veprimet e saj. Ne duam të shohim ndërtime të reja si stadiumi i ri që tashmë u ndërtua përkundër gjithë dyshimeve, dhe që i jep Tiranës një pamje meritore si një kryeqytet europian.

Ne duam të shohim në Tiranë vepra të emrave të mëdhenj të arkitekturës botërore. Të mos flitet për Shqipërinë vetëm në kronikën e zezë të gazetave evropiane, por edhe nëpër revistat e arkitekturës dhe forumet elitare evropiane e botërore. Ne duam që të kemi edhe arsye tjera, përpos natyrës, për tu mburrur për Shqipërinë. Prandaj, për Shqipërinë që duam, le të bëhet teatri i ri.

* Arkitekt dhe akusticien. Ish-profesor ne Departamentin e Arkitektures prane Universitetit te Prishtines. Aktualisht associate prane National Research Council Canada. Ka mbaruar master ne Arkitekture ne Dessau, Gjermani dhe doktorature ne Akustike Arkitektonike ne Vjene, Austri. Shkruajtur për TemA