Andi Kurti/
Historia duket sikur është një kujtesë gjigande e së kaluarës, qoftë në aspektin individual,
qoftë në atë kolektiv e planetar. Zakonisht, ajo që quajmë histori ka një version zyrtar i cili
përpiqet të transmetohet nga një brez në tjetrit kryesisht përmes librave shkollor, studimor e
shkencor në raport më këtë fushë. Shpeshherë gjendemi përpara momenteve dhe ngjarjeve
historike kundrejt të cilave nuk dimë asgjë ose kemi informacione të gabuar dhe gjatë
momente të tilla, duke u nisur nga një atribut hetimi natyror që është instaluar brenda qenies
njerëzore, ne fillojmë të kërkojmë për përgjigje përtej mjeteve dhe versioneve të
sipërpërmendura të cilat na kanë konturuar më së shumti atë që quajmë si histori sot.
Prandaj vlen të pyesim nëse historia jonë zyrtare është e vërtetë? Mjafton të shikojmë
qytetërimet më të hershme të njerëzimit për të kuptuar se gjendemi në një terren gjysmë të
ndriçuar dhe të mbushur plot më pyetje e mistere të cilave akoma edhe sot nuk i japim dot
përgjigje. Një ndër këto qytetërime është edhe ai i Egjiptit të Lashtë, një nga më të hershmit,
më të pasurit, më të mistershmit dhe më mistikët që ka ekzistuar ndonjëherë në planetin tonë.
Kur kundrojmë Egjiptin e Lashtë, përpos habisë, na lindin shumë pyetje, të cilave nuk kemi
ditur tu përgjigjemi deri më tani, duke kaluar sa na ekstremi i mohimeve kategorike deri tek
fantazitë e shfrenuara njerëzore. Historia zyrtare na thotë se Egjipti i Lashtë si qytetërim
daton diku te 5000 vite më parë, por historia, arkeologjia dhe teknologjia, shpeshherë na
konfuzojnë duke nxjerrë rezultate për këtë qytetërim që e hedhim totalisht poshtë këtë datim
5-mijevjecarësh. Janë të shumtë zërat e specialistë të këtyre fushave të cilët hedhin hipoteza
se qytetërimi i lashtë Egjiptian është shumë më i hershëm se 5000 vite.
Një prej tyre është edhe historiani e filozofi argjentinas, Jorge Angel Livraga, i cili i ka
kushtuar edhe një libër këtij qytetërimi të titulluar “Tebas”, tashmë të përkthyer në shqip nga
Botime Akropoli i Ri, ku mundohet të na ofrojë një histori alternative të Egjiptit të Lashtë
dhe duke u përpjekur tu përgjigjet shumë nga pyetjeve qe kemi në raport me historinë në
vetvete. Livraga na thotë se “Tebasi” ishte një qytet legjendar që ka ekzistuar diku rreth
12000 vite më parë, datim i cili sipas autorit mund të sqarojë edhe shumë pikëpyetje të
historisë njerëzore.
Livraga na shpalos një Tebas me gjithë atributet e tij, duke u thelluar qysh nga mënyra e
thjeshtë e jetesë, ritualet fetare, qeverisja, shkenca, artet, politika, e për të përfunduar deri tek
ritualet mortore dhe ndërtimet gjigande, dy aspekte këto që na e kanë sjellë Egjiptin si një
qytetërim tejet misterioz e disi të pakuptueshëm që duket se gjithmonë do ta rrokë kureshtjen
e qenies njerëzore. Autori me Tebasin nuk bën vetëm një datim historik horizontal të këtij
Egjipti të hershëm legjendar, por na jep edhe një thellim vertikal e magjik të kësaj historie,
duke na bërë që gjatë leximit të librit jo vetëm të përftojmë një informacion të pa hasur më
parë diku mbi Egjiptin e Lashtë, por të shkojmë më tej, në atë që mund të quhet si përjetimi
metafizik i historisë së Egjiptit, por edhe vetë historisë së njerëzimit në total.
Për këtë arsye, Tebasi i Livragës, një qytet sa fizik aq edhe brendësor i njeriut, nuk është
vetëm një ftesë për një thellim në rrjedhën lineare të historisë, por është më së shumti është
një ftesë për një zhytje qenësore metafizike në historinë e vetë qenies njerëzore, në mënyrë që
të rikujtojë atë që dihej qysh në gjenezë të kohërave.
Botime Akropoli i Ri/