Nga Mira Kazhani/Ka shumë njerëz në Shqipëri, që ne i thërrasim ish-pronarët, që sot e kësaj dite janë të pasur në letra, në sipërfaqe metrash katrorë, në dokumente hipotekore, por që si gjyshërit, si fëmijët që bënë edhe burg, si nipër e mbesa – deri dhe brezi i tretë, ndoshta – s’do t’i përvetësojnë pronat e familjes, për shkak të një gabimi të tmerrshëm në vitet ’90 nga qeveria e djathtë e Berishës me ligjin 7501. Toka e tyre, e përkthyer në vlerë monetare, e përcaktuar për ta si kompensim ndër vite, ka qenë një shumë qesharake, ndërsa rikthimi i pronës fizike atje ku ajo ekziston është shpesh i pamundur, për shkak të ndryshimeve që ndodhën në Shqipëri dhe politikës së qeverisë së parë “Berisha”, që afroi banorë nga çdo cep i Shqipërisë dhe lejoi ndërtimin e shtëpive, dyqaneve, llotove, pallateve pa leje, shpesh në pronën e të tjerëve e po aq edhe në atë publike, që nuk është e të tjerëve por e të gjithëve.

Pra, Tirana kryesisht shërbeu si një dhuratë/trofe për çdokënd që ngulte shatin e linte fshatin!

Ligji 7501 dhe liria “eja ngule ku të duash” qenë dy hapat fatalë për pronën private dhe publike në Shqipëri, që siç shihet çdo ditë, është një çmim i madh që po paguajmë të gjithë së bashku!

Pushtimi pa asnjë kriter i mijëra hektarëve tokë në të gjithë vendin nga të ardhurit, sidomos gjatë viteve ’93 – ’97 bëjnë 4-vjeçarin simbol, që sot e kësaj dite nuk i gjendet një zgjidhje, me legalizimin apo shpronësimin, siç është rasti i fundit i disa qytetarëve që protestojnë për shpronësimet tek Unaza e Madhe!

Protesta e banorëve që duan siguri për bizneset e tyre, shtëpitë dhe katet pa leje, është e kuptueshme. Nuk është faji i tyre që gjenden përpara zhvillimeve të qytetit dhe s’janë as të parët e as të fundit. Shpronësime për vepra publike janë bërë me qindra. E njëjta formë është aplikuar tek Stacioni i Trenit për zgjatjen e Bulevardit të Tiranë, në Shkozë për segmentin e Unazës së Madhe, në krahun lindor. Apo edhe tek Unaza e Madhe në segmentin Komuna e Parisit deri tek Pallati me Shigjeta.

Sigurisht, askush nuk buzëqesh kur i shembet shtëpia, dyqani apo edhe ajo pika e basteve, se njerëzit do jetojnë. Mirë apo keq, kanë mbijetuar brenda një sistemi që s’e ndërtuan qytetarët por secili mbijetoi dhe aq keq s’e patën…
Qytetarët, edhe kur e kanë gabim, meritojnë të dëgjohen dhe të marrin mbështetje.
Për 3 vitet e ardhshme parashikohet një qira, ndërsa për periudhën tjetër Bashkia e Tiranës do të përfshijë familjet në listat për strehim.

Qyteti është i të gjithëve dhe përpara një nevoje publike të gjithë kemi detyrën, si qytetarë të Republikës së Shqipërisë, të bashkëpunojmë dhe t’i bindemi zhvillimit të qytetit. Imagjinoni sikur të ngrihen ata që (janë në shumicë për nder të këtij vendi) kanë gjithë jetën që nuk pushtuan dhe hanë veç atë që u takon. Apo me keq, ish- pronarët, që jetojnë ende në shtëpi me lagështirë në Tiranë, të çohen e të kërcënojnë me ç’të munden ata që ua morën pronën?! Ish-qeveritarë, zyrtarë, çakenj e halabakë, që e bënë turli këtë vend. Prandaj, ata deputët që shkojnë e iu flasin në vesh banorëve tek Unaza e Madhe, apo edhe disa tipa që flasin studiove, e kanë thjesht urdhër politik për të bërë pak zhurmë. E deshën dhe e duan këtë vend të jetë i zorshëm, sepse ujku errësirë do!

Siç shqiptari vdes për shtëpi me sa më shumë kate të jetë e mundshme. Biles po ta keni vënë re, ndërtojmë shumë kate e në të dytin e lart nuk jeton e ngjitet askush, por kemi një bestytni rreth shtëpive të mëdha, që brenda fatkeqësisht i bëjmë të ftohta, me televizorin me zërin lart dhe pikturat me vjeshtë dhe fruta. Duam të kemi shtëpinë tonë të duket si një pallat dhe të impresionojmë ata që kalojnë dhe harrojmë se edhe vetë jemi kalimtarë… / Tiranapost