Klubi bardheblu nuk e ka zyrtarizuar ende vazhdimin e bashkëpunimit me trajnerin brazilian Ze Maria, por kjo është thjesht çështje kohe. Ka pasur shumë zëra në fakt në lidhje me një largim të mundshëm të Ze Marias, por ai do ta drejtojë Tiranën edhe në Superiore.

Ka pasur disa takime mes presidentit Refik Halili dhe trajnerit brazilian deri tani dhe sot pritet që ata të takohen sërish, ndoshta për ta “vulosur” qëndrimin. E ndërsa kjo çështje mund të konsiderohet e mbyllur, te bardheblutë po punohet në letër për skuadrën e sezonit të ri.

Kuptohet që Tiranës i duhen shumë lojtarë me përvojë dhe kualitet, që të kthehen në nivelet e tyre të mëparshme dhe jo të luftojnë vetëm për qëndrimin në Superiore. Disa nga lojtarët e grupit aktual kanë përvojë dhe e njohin mirë Superioren, por nuk ka diskutim që duhen përforcime për të parë një Tiranë dinjitoze.

Drejtuesit e klubit bardheblu kanë vënë disa piketa, në mënyrë që të mbushin boshllëqet që ka skuadra. Trajneri Ze Maria e ka pohuar së fundit se të rinjtë nuk e përballojnë dot agresivitetin që ka Superiorja. Duhen përforcime veçanërisht në prapavijë.

Po ndiqen lojtarë që së fundi kanë luajtur me Vllazninë, por pritet edhe se çfarë do të ndodhë me Skënderbeun, ndaj dhe drejtuesit e Tiranës nuk duan të nxitojnë në lidhje me merkaton.