Vlerësim të plotë të situatës financiare, fiskale dhe asaj ligjore të klubit”. Bashkia e Tiranës merr një hap të rëndësishëm për të audituar klubin bardheblu pas rikthimit në Kategorinë Superiore. Një ditë pasi Tirana zyrtarizoi për dy vitet e ardhshme trajnerin brazilian, Ze Maria, “Panorama Sport” ka arritur të zbulojë ekskluzivisht projektvendimin që bashkia ka hartuar për miratim në mbledhjen e radhës së Këshillit.

Duke pasur 34 % aksione në shoqërinë aksionere të klubit Tirana, bashkia ka menduar të miratojë financimin e 60 milionë lekëve të vjetra në formën e huas në favor të klubit, me qëllim kryerjen e një vlerësimi të plotë të situatës financiare. Klubi ka arritur të kontraktojë kompaninë audituese “Deilotten Albania” më 26 maj të vitit të kaluar, muaj kur dhe u rrë- zua për herë të parë nga Superiorja. Në këtë moment vjen edhe ndërhyrja e bashkisë, që do të lëvrojë fondin, në mënyrë që kompania audituese të veprojë te Tirana për një afat kohor jo më shumë se një vit.

Deri në këtë pikë duket se gjithçka është normale, por pikëpyetjet janë të mëdha kur sheh projektvendimin. Bashkia e Tiranës pranon hapur se klubi ka probleme të rënda financiare. Natyrisht kjo është konfirmuar edhe së fundmi, kur rasti i borxhit ndaj ish-futbollistit të Tiranës, Gjergji Muzaka, detyroi Komisionin e Disiplinës në FSHF t’i zbriste pikë skuadrës.