Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi sot se, Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar janë në fazën përmbyllëse të marrëveshjes për transferimin e të dënuarve. Në takimin që zhvilloi me gazetarët, ministrja Gjonaj njoftoi edhe për ndryshimin e marrëveshjes së ekstradimit që Shqipëria ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Jemi në fazën e mbylljes së një marrëveshjeje për ekstradimet me SHBA. Do jetë një marrëveshje historike pasi operojmë ende me marrëveshjen e 1933”, u shpreh Gjonaj. Gjonaj tha se, në takimet që ka pasur me Prokurorin e Antimafias në Itali, është rënë dakord që të shtohen skuadrat e përbashkëta kundër krimit transnacional.