“Nga analiza që është bërë për kilometër në ndërtimin e Unazës së Madhe në Tiranë, rezulton kosto më e vogël se sa kostoja e Unazës që është bërë në kohën e Lulzim Bashës”.

Zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli, në një intervistë në “ABC News” komentoi protestën e banorëve që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe në Tiranë. “Këta janë të fundit që po preken, janë prishur me dhjetëra e qindra shtëpi, aty ku ligji ka përcaktuar se do të prishen shtëpitë”, u shpreh Shkreli.

Zv.ministri sqaroi se “këta banorë do të trajtohen njësoj si banorët që u janë prishur shtëpitë në Lungomare dhe shumë ndërhyrje të tjera në kuadër të Rilindjes Urbane”. I pyetur nëse ka hapësirë për dialog me protestuesit, Shkreli tha se “nëse ata kanë përfaqësi, pse mos të dialogojmë që t’i lehtësojmë procedurat ligjore dhe të shikohet më tej”.

Investime strategjike në infrastrukturë

Ndërkohë, Shkreli foli po ashtu edhe për ecurinë e projekteve të tjera të rëndësishme infrastrukturore në vend.

“Është avancuar me bypass-in e Fierit, bypass-i i Vlorës fillon me fillimin e vitit punimet. Bypass-i i Shkodrës tani do të zhbllokohet. Në bypass-in e Tepelenës janë zhvilluar 15% e punimeve. Po përgatitemi për bypass-in e Elbasanit”, tha Shkreli.

Ai informoi po ashtu se “do të vazhdojnë punimet në rrugën Kardhiq-Delvinë”.

“Një vëmendje të veçantë në buxhet kanë dhe PPP-të. Do të vazhdojë të punohen në rrugët Thumanë-Kashar, Milot-Morinë, Orikum-Dukat”, tha Shkreli.

Më në fund, sipas tij, do të bëhet hekurudha Tiranë-Durrës. “Do të kemi tren me shpejtësi të lartë. Për 19 minuta do të bëhet distanca Durrës-Tiranë. Çmimi i biletës do të ruhet në nivele aktuale. Planifikohet bërja e një hekurudhe të lehtë, ku do të futet tek stacioni i trenit, ku treni do të jetë elektrik”, tha Shkreli.