Siç me siguri e dini tashmë, Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, janë në pritje të një djali. I ftuar në episodin hapës të sezonit të ri të “Pop Culture”, Veliaj nisi të fliste për emrin e të voglit e kjo bisedë, kaloi ngadalë në dallimet mes djemve dhe vajzave në Shqipëri.
“Emrin s’e kemi vendosur akoma, por ia kam lënë Ajolës në dorë,” tha ai. “Kur pashë sa e ndjeshme ishte, thashë më mirë të vendosë ajo. Normalisht, konsultohet me mua […]”
Bebi që pritet të vijë në jetë së shpejti do të ketë me siguri emër shqiptar dhe, siç thuhet, me siguri do të jetë më i dhënë pas të ëmës, sesa Veliajt.
“Thonë se djemtë janë mrekulli për nënën, vajzat për babain. Vitin tjetër duhet të mendojmë për një vajzë,” tha Veliaj dhe këtu nisi ‘fjalimi’ mbi dallimet e vajzave dhe djemve – rrjedhimisht dhe burrave dhe grave – në Shqipëri.
“Tipikisht, vajzat në shqipëri janë shumë të ftilluara, çunat shqiptarë janë zdromsa [sic] komplet. Meshkujt, ngaqë llastohen shumë të vegjël, bëhen shumë më të pazotë se femrat. Shih kafenetë e Tiranës në mëngjes dhe do të shohësh vetëm çuna, të varur nëpër karrige. Dhe thua me vete, ‘ti sa je zgjuar nga gjumi, pse po çlodhesh? Dita sa ka filluar’.
Gocat shqiptare janë shumë ndryshe, janë shumë të ftilluara. Ndoshta i ka bërë jeta, ndoshta ngaqë merren më tepër me familjen. Unë e shoh në punë. Janë besnike, të përkushtuara, i bëjnë gjërat me pasion…
Ka burra shqiptarë, nga 60 vjeç, që vijnë vonë në takime dhe thonë që u vdiq gjyshja. Thuhet ajo more maskara? Pas klasës së tretë nuk thuhet më. Një grua shqiptare s’do e thoshte kurrë.”
Nisur nga këto vëzhgime, Veliaj do që djali i të jetë ndryshe, të jetë më i mirë.
“Djali im le të hyjë te rraca e rrallë e meshkujve shqiptarë që janë të mirë, që mbajnë fjalë, që mbarojnë punë.”